Erdoğan: Ankaraja nuk tregon “asnjë hezitim” në mbrojtjen e kufijve dhe hapësirës ajrore

Recep Tayyip Erdoğan thekson se përpjekja e Türkiyes për paqe në rajon ka qenë “plotësisht e qartë që nga dita e parë”.

By
Erdoğan diskuton me homologun francez nevojën për rritjen e bashkëpunimit në mbrojtje brenda NATO-s / AA

Türkiye nuk tregon “asnjë neglizhencë apo hezitim në sigurimin e kufijve dhe hapësirës sonë ajrore”, deklaroi të enjten presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, mes konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme.

Duke folur në një aktivitet në Ankara, Erdoğan tha se “në një kohë kur përpjekja e Türkiyes për paqe në rajon ka qenë plotësisht e qartë që nga dita e parë, askush nuk duhet të mbajë qëndrime të gabuara që minojnë parimet e fqinjësisë dhe vëllazërisë.”

Duke theksuar përpjekjet diplomatike të Türkiyes lidhur me krizën në rajon, ai shtoi se “ne do të vazhdojmë diplomacinë tonë shumëdimensionale me qëllim parandalimin e gjakderdhjes së mëtejshme në rajonin tonë dhe për të siguruar që asnjë person i pafajshëm të mos humbasë më jetën.”

Sa i përket incidentit të së mërkurës, kur një municion i lëshuar nga Irani drejt hapësirës ajrore turke u interceptua nga njësitë mbrojtëse të NATO-s, Erdoğan tha se Ankaraja tregoi “ndjeshmërinë” e saj dhe dha “paralajmërimet e nevojshme” për të parandaluar përsëritjen e një incidenti të ngjashëm.

“Nëse lind një kërcënim për sigurinë e vendit tonë, ne do të marrim të gjitha masat e nevojshme me kujdes maksimal dhe në koordinim me aleatët tanë,” shtoi presidenti.

Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur pasi ShBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ajrore ndaj Iranit duke filluar nga 28 shkurti, ku sipas autoriteteve iraniane janë vrarë mbi 900 persona, përfshirë udhëheqësin suprem të Iranit, Ali Khamenei, si dhe më shumë se 165 vajza të shkollave fillore.

Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin dhe objektiva të lidhura me SHBA-në në vendet e Gjirit, duke shkaktuar ndërprerje në rrugët energjetike.