I dërguari i posaçëm i Australisë për luftën kundër islamofobisë ka bërë thirrje për një hetim lidhur me përdorimin e forcës nga policia dhe largimin me forcë të besimtarëve myslimanë gjatë një tubimi protestues në Sydney të hënën, kundër vizitës së presidentit izraelit, Isaac Herzog, raportuan të martën mediat lokale.
I dërguari i posaçëm, Aftab Malik, i kërkoi gjithashtu kryeministrit të Uellsit të Ri Jugor (NSW), Chris Minns, që të kërkojë publikisht falje ndaj komunitetit mysliman, sipas SBS News.
“Nuk kishte absolutisht asnjë justifikim që policia t’u afrohej njerëzve që po qëndronin qetësisht, në mënyrë jo kërcënuese dhe paqësore, dhe t’i godiste, t’i kapte e t’i hidhte përtokë,” tha Malik.
Ai paralajmëroi se dështimi i policisë për të pranuar përgjegjësinë do të dëmtonte rëndë marrëdhëniet me komunitetin mysliman.
“Veprimet e policisë ishin të paprovokuara, të panevojshme dhe joproporcionale. Nëse nuk ka një pranim të qartë të kësaj, marrëdhëniet mes myslimanëve dhe Policisë së NSW-së do të dëmtohen në mënyrë të pariparueshme,” theksoi ai.
Ndërkohë, kryeministri australian Anthony Albanese bëri thirrje për qetësi, duke e përshkruar dhunën policore si “shkatërruese”.
Duke folur në parlament, ku Partia e Gjelbër e opozitës kërkoi që presidenti izraelit të dërgohej përsëri në vendin e tij, Albanese tha:
“Dhuna që pamë mbrëmë ishte shkatërruese dhe e di që të gjithë australianët i quajtën këto pamje si jashtëzakonisht tronditëse.”
Ai shtoi se Policia e NSW-së do të rishikojë pamjet e incidentit, veçanërisht rastet kur u përdor forcë ndaj besimtarëve që po faleshin.
Pamjet që qarkulluan në internet nga protesta e së hënës treguan policinë e NSW-së duke larguar me forcë besimtarë myslimanë dhe duke i zvarritur ata ndërsa kryenin lutjet.
Incidenti ngjalli dënime të gjera, përfshirë nga Këshilli Kombëtar i Imamëve të Australisë, i cili i përshkroi veprimet e policisë si “tronditëse, thellësisht shqetësuese dhe plotësisht të papranueshme”.
Policia dhe protestuesit u përplasën ndërsa mijëra demonstrues dolën në rrugë në mbarë Australinë për të protestuar kundër vizitës së Herzogut, e cila filloi të hënën.
Herzog ndodhet në Australi për një vizitë zyrtare. Qëndrimi i tij në Sydney është shoqëruar me masa të rrepta sigurie, përfshirë prani të shtuar policore, personel sigurie izraelit dhe snajperë. Ai u takua me liderë të komunitetit hebre pas sulmit të dhunshëm në Bondi në dhjetor.
Vitin e kaluar, një komision i posaçëm hetimor i Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut mbi luftën në Gaza deklaroi se Izraeli po kryente gjenocid dhe citoi deklarata të presidentit Herzog pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 si prova të qëllimit gjenocidal.
Që nga fillimi i ofensivës izraelite në Gaza në vitin 2023, më shumë se 72.000 palestinezë janë vrarë dhe mbi 171.000 janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, ndërsa rreth 90 për qind e infrastrukturës së Gazës është shkatërruar.
Pavarësisht armëpushimit, ushtria izraelite ka vazhduar shkeljet, duke vrarë 576 palestinezë dhe duke plagosur 1.543 të tjerë, sipas të njëjtës ministri.
















