Myftiu i Kosovës, Tërnava: Ramazani është shkolla e shpirtit, ku besimtari pastrohet nga gabimet
Tërnava tha se Ramazani është muaj kur zemrat hapen për Librin e Zotit dhe shpirtrat përulen para Madhërisë së Tij.
Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim Tërnava ka uruar besimtarët muslimanë me rastin e fillimit të Muajit të Ramazanit.
Nëpërmjet një deklarate për media nga selia e Bashkësisë Islame e Kosovës (BIK), Tërnava tha se Ramazani është muaji kur Fjala Hyjnore zbriti si dritë për njerëzimin, udhëzim për zemrat, shërim për shpirtrat dhe mëshirë për botët.
Tërnava tha se Ramazani është muaj kur zemrat hapen për Librin e Zotit dhe shpirtrat përulen para Madhërisë së Tij.
"Ramazani është shkolla e shpirtit, ku besimtari pastrohet nga gabimet, forcohet në besim dhe rritet në devotshmëri. Është koha kur leximi i Kuranit bëhet frymëmarrje e zemrës, lutja gjuhë e shpirtit dhe sadakaja dritë në rrugën tonë. I Dërguari ynë, Muhamedi a.s., ishte njeriu më bujar, ndërsa bujaria e tij arrinte kulmin pikërisht në këtë muaj", tha Tërnava.
Tërnava tha se historia e Kosovës dëshmon se besimi ka qenë burim frymëzimi për angazhim qytetar dhe kombëtar, veçanërisht në momentet kyçe si shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, kur u kurorëzua një sakrificë e gjatë për liri, drejtësi dhe dinjitet.
"Dashuria ndaj fesë dhe ndaj atdheut nuk janë në kundërshtim, por plotësojnë njëra-tjetrën. Besimi e formon karakterin ndërsa atdheu i jep atij hapësirë veprimi. Ramazani na thërret ta forcojmë lidhjen me Zotin dhe përgjegjësinë ndaj vendit tonë, institucioneve dhe së ardhmes së përbashkët", tha tutje myftiu.
Tërnava tha se Ramazani duhet të jetë kohë për reflektim për thellimin e dashurisë ndaj fesë si burim drite dhe ndaj Kosovës si amanet i të parëve e përgjegjësi ndaj brezave që vijnë.