| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Hoxha në Romë me homologun Tajani: Rikonfirmuam partneritetin e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Italisë
Kryediplomati i Shqipërisë, Ferit Hoxha, po zhvillon vizitë zyrtare në Itali, ndërkohë është takuar në Romë me zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm dhe të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani.
Hoxha në Romë me homologun Tajani: Rikonfirmuam partneritetin e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Italisë
Hoxha në Romë me homologun Tajani: Rikonfirmuam partneritetin e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Italisë / AA

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar se partneriteti mes Shqipërisë dhe Italisë është i bazuar në lidhje të thella historike dhe në një vizion strategjik të përbashkët për të ardhmen, transmeton Anadolu.

Ministri Hoxha po zhvillon një vizitë zyrtare në Itali, ndërkohë është takuar në Romë me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani.

"Rikonfirmuam partneritetin e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Italisë, të bazuar në lidhje të thella historike, në miqësinë e ngushtë mes popujve tanë dhe në një vizion strategjik të përbashkët për të ardhmen. Pak partneritete janë kaq të thella dhe kaq mirë të strukturuara sa partneriteti ynë. Bisedimet tona konfirmuan nivelin e lartë të bashkëpunimit në një gamë të gjerë fushash, përfshirë dialogun politik, integrimin evropian, sigurinë, mbrojtjen, migracionin, lidhshmërinë, energjinë, ekonominë, turizmin, kulturën dhe lidhjet mes njerëzve", është shprehur Hoxha.

​​​​​​​Kryediplomati Hoxha ka shtuar se Italia mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe një investitor strategjik në sektorët prioritarë.

"Shpreha mirënjohjen e sinqertë të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Italisë ndaj procesit tonë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe për rolin e saj të vazhdueshëm si një nga mbështetëset më të forta të së ardhmes evropiane të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Së bashku, mbetemi të angazhuar për ta forcuar më tej partneritetin tonë strategjik, në dobi të qytetarëve tanë, stabilitetit rajonal dhe një Evrope më të fortë", ka theksuar Hoxha.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë