| Albanian
LUFTA NË GAZA
2 minuta leximi
Izraeli miraton ligjin që themelon gjykatën ushtarake për anëtarët e "forcës elitare" të Hamasit
Gazeta "Yedioth Ahronoth" tha se ligji do të sigurojë bazën ligjore për atë që e përshkroi si "gjyqe të paprecedentë", duke i quajtur ato procedurat më të mëdha dhe më domethënëse në Izrael që nga gjyqi i nazistit Adolf Eichmann.
Izraeli miraton ligjin që themelon gjykatën ushtarake për anëtarët e "forcës elitare" të Hamasit
Izraeli miraton ligjin që themelon gjykatën ushtarake për anëtarët e "forcës elitare" të Hamasit / Reuters

Parlamenti izraelit miratoi të hënën një ligj që krijon një gjykatë ushtarake speciale për atë që Izraeli e përshkruan si anëtarë të "forcës elitare" të Hamasit.

Knesseti miratoi leximin e dytë dhe të tretë të projektligjit, duke e shndërruar atë zyrtarisht në ligj. Legjislacioni u miratua me mbështetjen e 93 ligjvënësve, pa vota kundër ose abstenime.

Gazeta "Yedioth Ahronoth" tha se ligji do të sigurojë bazën ligjore për atë që e përshkroi si "gjyqe të paprecedentë", duke i quajtur ato procedurat më të mëdha dhe më domethënëse në Izrael që nga gjyqi i nazistit Adolf Eichmann.

Projektligji u miratua për herë të parë në një lexim paraprak në mesin e janarit, pasi u prezantua nga ligjvënësit Simcha Rothman i partisë së Sionizmit Fetar dhe Yulia Malinovsky e partisë "Yisrael Beiteinu".

Izraeli e rrëmbeu Eichmannin nga Argjentina në vitin 1960 përpara se ta gjykonte dhe ta ekzekutonte në vitin 1962.

Hamasi nuk ka komentuar menjëherë mbi legjislacionin.

Izraeli pretendon se palestinezët e arrestuar pas ngjarjeve të 7 tetorit 2023 janë anëtarë të "forcës elitare" të Hamasit, megjithëse ata ende nuk janë nxjerrë në gjyq.

Më shumë se 9.600 të burgosur palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, mbahen aktualisht në burgjet izraelite, sipas grupeve të të drejtave të njeriut, të cilat thonë se të burgosurit përballen me tortura, uri dhe neglizhencë mjekësore, dhe shumë prej tyre kanë vdekur.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë