Gjermania dhe Franca do të ndalojnë projektin e tyre të përbashkët evropian për avionin luftarak FCAS.
Sipas të përditshmes ekonomike Handelsblatt, kancelari gjerman, Friedrich Merz, i ka thënë presidentit francez, Emmanuel Macron, se ndërtimi i një avioni të përbashkët “nuk do të vazhdojë”, duke i dhënë fund një ngërçi disavjeçar rreth projektit shumë miliardësh.
Projekti FCAS (Sistemi i Ardhshëm i Luftimit Ajror) konsiderohej si një nga programet më ambicioze të mbrojtjes në Evropë. Gjermania, Franca dhe Spanja synonin të zhvillonin së bashku një sistem të gjeneratës së re të luftës ajrore të rrjetëzuar, i cili parashikohej të hynte në shërbim në vitet 2040.
Megjithatë, projekti shumë miliardësh ishte bllokuar prej vitesh për shkak të mosmarrëveshjeve mes vendeve pjesëmarrëse dhe industrisë së mbrojtjes. Vonesat janë përsëritur vazhdimisht për shkak se partnerët nuk kanë arritur dakordësi mbi përgjegjësitë, teknologjitë dhe ndarjen e kontratave.





















