Shqipëria dhe Izraeli kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi (MoU) në fushën e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore.
Njoftimi u bë i ditur nga Ambasada e Izraelit në Shqipëri, e cila theksoi se ky memorandum i nënshkruar në Tiranë shënon një "hap të rëndësishëm" drejt forcimit të bashkëpunimit dypalësh, inovacionit si dhe kërkimit dhe zhvillimit ndërmjet dy vendeve.
"Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendësministri i Bujqësisë i Shqipërisë, Fatmir Guri, dhe drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë dhe Sigurisë Ushqimore të Izraelit, Oren Lavi.
Ky Memorandum synon ta nxisë bashkëpunimin në teknologjitë bujqësore, praktikat e qëndrueshme të prodhimit, sigurinë ushqimore, shkëmbimin e njohurive dhe nismat e përbashkëta kërkimore, në interes të të dy vendeve", thekson njoftimi.
Sipas njoftimit, pas ceremonisë së nënshkrimit, delegacioni izraelit u takua me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, Andis Sala, "ku u diskutua zbatimi i marrëveshjes dhe identifikimi i mundësive konkrete për bashkëpunim në të ardhmen".
"Ky partneritet pasqyron marrëdhëniet e forta dhe në rritje ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit si dhe angazhimin e përbashkët për inovacion, qëndrueshmëri dhe zhvillim të qëndrueshëm të sektorit bujqësor", thekson njoftimi.






















