Shqipëri, mbahet takimi i Komisionit për Politikat Sociale dhe Humanitare të PABSEC-ut
Takimi është organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me Asamblenë Parlamentare për Bashkëpunimin Ekonomik të Detit të Zi (PABSEC), me fokus "diplomacinë kulturore si një dimension thelbësor i bashkëpunimit ndërparlamentar".
Në Shqipëri është mbajtur takimi i 66-të i Komisionit për Politikat Sociale dhe Humanitare të Asamblesë Parlamentare për Bashkëpunimin Ekonomik të Detit të Zi (PABSEC).
Takimi është organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me PABSEC-un, me fokus "diplomacinë kulturore si një dimension thelbësor i bashkëpunimit ndërparlamentar".
Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë thuhet se në hapje të punimeve përshëndeti nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë. Klodiana Spahiu, e cila theksoi rëndësinë e diplomacisë kulturore si urë bashkëpunimi dhe dialogu në Rajonin e Detit të Zi, si dhe "angazhimin e Shqipërisë për promovimin e vlerave demokratike dhe integrimin evropian".
"Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Miriam Shyti, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe përkushtimin e Shqipërisë për avancimin e procesit të integrimit në BE. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i PABSEC-ut, Asaf Hajiyev, falënderoi Kuvendin e Shqipërisë për mikpritjen dhe theksoi nevojën për thellimin e bashkëpunimit mes vendeve anëtare", thuhet në njoftim.
Gjatë mbledhjes theksohet se u miratua projektraporti me temë “Diplomacia kulturore për forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në Rajonin e Detit të Zi”.
Gjithashtu konfirmohet se në përfundim të takimit u vendos që takimi i 67-të i komisionit të zhvillohet në shtator 2026 në Armeni.
Në kuadër të këtij takimi, sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEC), Asaf Hajiyev, zhvilloi takime të ndara me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryeparlamentarin Niko Peleshi.