| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Kryediplomatët e Pakistanit dhe Iranit diskutojnë paktin e mbrojtjes së Mekës
Irani thotë se Pakistani ftoi ministrin e Jashtëm dhe kreun e parlamentit për vizitë.
Kryediplomatët e Pakistanit dhe Iranit diskutojnë paktin e mbrojtjes së Mekës
Kryediplomatët e Pakistanit dhe Iranit diskutojnë paktin e mbrojtjes së Mekës / َAA

Kryediplomatët e Pakistanit dhe Iranit diskutuan të hënën marrëveshjen trepalëshe të mbrojtjes, të nënshkruar së fundmi në Mekë, si dhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.

Gjatë një bisede telefonike, Ishaq Dar i paraqiti Abbas Araghchiut pikat kryesore të Marrëveshjes së Përbashkët të Mbrojtjes të Mekës ndërmjet Pakistanit, Arabisë Saudite dhe Türkiyes, “duke theksuar synimet e saj për forcimin e bashkëpunimit strategjik dhe kontributin në paqen dhe sigurinë rajonale”, njoftoi Ministria e Jashtme e Pakistanit.

Sipas deklaratës, Araghchi e falënderoi Darin për paraqitjen e pikave kryesore të marrëveshjes. Dy ministrat shkëmbyen gjithashtu mendime mbi zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.

Marrëveshja, e nënshkruar të premten nga të tria vendet në qytetin e shenjtë mysliman të Mekës, e konsideron sulmin ndaj njërit prej tyre si sulm ndaj të treve.

Të dy ministrat u pajtuan të mbeten në kontakt për çështjet me interes të përbashkët.

Ndërkohë, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, Dar e ftoi Araghchiun dhe kryetarin e Parlamentit, Mohammad Bagher Qalibaf, të vizitojnë Islamabadin për bisedime.

Araghchi dhe Qalibaf do ta zhvillojnë vizitën “në një kohë të përshtatshme”, tha Baqaei në deklaratat e transmetuara nga televizioni shtetëror iranian Press TV. Ai nuk dha hollësi të tjera se kur mund të zhvillohet vizita.

“Vizitat dhe shkëmbimet e ndërsjella janë pjesë e natyrshme e marrëdhënieve në rritje ndërmjet dy vendeve fqinje”, shtoi Baqaei.

Tensionet në Lindjen e Mesme u përshkallëzuan pasi ShBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme të përbashkëta ndaj Iranit në shkurt. Teherani u kundërpërgjigj duke shënjestruar vendet e rajonit që strehojnë baza dhe mjete ushtarake amerikane.

Pakistani luajti rol ndërmjetësues mes Uashingtonit dhe Teheranit në përpjekje për uljen e tensioneve, duke ndihmuar në arritjen e një armëpushimi në prill dhe të një marrëveshjeje kornizë në qershor.

Megjithatë, marrëveshja dështoi muajin e kaluar dhe të dyja palët shkëmbyen sulme për afro dy javë, përpara se presidenti amerikan Donald Trump të ndalte papritur bombardimet, mes raportimeve për bisedime që synonin zgjidhjen e konfliktit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë