Reshjet intensive të shiut dhe dëborës, të shoqëruara me temperatura të ulta gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar problematika në disa qarqe të Shqipërisë.
Sipas raportimeve të ministrisë së Mbrojtjes, ka pasur rritje të prurjeve në lumenj, përmbytje të tokave bujqësore, rrëshqitje dherash dhe vështirësi në qarkullimin rrugor,
Gjendja më e rënduar paraqitet në Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat, ndërsa në qarqet e tjera problemet janë të kufizuara ose situata është e qëndrueshme.
Situata sipas qarqeve:
Në Qarkun e Shkodrës, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka sjellë përmbytje në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç. Strukturat e bashkisë dhe të emergjencave civile ndodhen në terren dhe monitorojnë vazhdimisht situatën, ndërsa hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë dhe nivelet e ujit mbeten nën kuotat kritike.
Në Qarkun Durrës janë verifikuar 5.477 banesa, nga të cilat 1.711 kanë pësuar dëme. Janë evakuuar 851 persona, kryesisht në zonat Sukth dhe Katund i Ri, ku rreth 2000 hektarë tokë bujqësore janë nën prezencë uji.
Në Lezhë, niveli i ujit në tokat bujqësore ka shënuar rënie, por disa banesa vijojnë të jenë të prekura. Lumi Drin është në ulje, ndërsa lumi Mat ka shënuar rritje për shkak të shkarkimeve nga HEC-et Shkopet dhe Qafë-Mollë.
Në qarqet Gjirokastër dhe Dibër po punohet për pastrimin e akseve rrugore dhe largimin e ujit nga disa objekte, ndërsa në qarqet Berat dhe Elbasan rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të tokave bujqësore.
Forcate e Armatosura janë angazhuar në terren nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët asistojnë vazhdimisht në transportimin e banorëve, shpërndarjen e ndihmave dhe mbështetjen e operacioneve emergjente sipas nevojave.
Ministria u bën thirrje banorëve të zonave të prekura të kontaktojnë autoritetet vendore për çdo nevojë dhe të bashkëpunojnë me strukturat në terren për menaxhimin sa më efektiv të situatës.














