Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci ka pritur në takim komandantin e ri të Misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, gjeneralmajor Roberto Vergori.
Siç njofton Ministria e Mbrojtjes, Maqedonci e ka uruar komandantin Vergori për marrjen e detyrës së re duke i uruar suksese në përmbushjen e mandatit të tij ndërsa bëri të ditur se me të diskutuan për një sërë çështjesh.
“Gjatë takimit diskutuam për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, rëndësinë e komunikimit dhe koordinimit të vazhdueshëm si dhe avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona dhe KFOR-it”, theksoi Maqedonci.
Ai bëri të ditur në këtë takim se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në NATO mbetet prioritet strategjik dhe objektiv kyç për të ardhmen e vendit.
Ministri Maqedonci tha se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit të ngushtë me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë në funksion të ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit.





















