Protestë në Durrës pas përmbytjeve masive, banorët kërkojnë zgjidhje urgjente

Qytetarët kanë shprehur revoltim ndaj institucioneve pas përmbytjeve masive që kanë goditur zonat urbane dhe periferike të qytetit këtë javë.

By
Protestë në Durrës pas përmbytjeve masive, banorët kërkojnë zgjidhje urgjente / ATA

Dhjetëra qytetarë të prekur nga përmbytjet kanë protestuar sërish sot përpara bashkisë së Durrësit, duke kërkuar masa konkrete për përmirësimin e situatës në qytetin bregdetar. 

Me pankarta dhe megafonë, protestuesit shprehën pakënaqësinë ndaj institucioneve, pas përmbytjeve masive që kanë prekur zonat urbane dhe periferike të qytetit gjatë kësaj jave.

Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa, biznese, toka bujqësore dhe infrastrukturë, ndërsa qytetarët kërkuan llogaridhënie dhe zgjidhje të menjëhershme nga institucionet për të parandaluar dëmet në banesa dhe biznese.

Protestuesit kërkuan vlerësimin e saktë dhe të plotë të dëmeve që u janë shkaktuar nga përmbytjet dhe menjëherë pas këtij procesi, shpërndarjen e dëmshpërblimit të merituar. 

Shumë prej tyre pretenduan se nuk kanë marrë ende dëmshpërblimet e humbjeve të shkaktuara nga moti i keq vitin e kaluar, por edhe më parë.

Ditën e djeshme gjatë qëndrimit para bashkisë Durrës, ka pasur edhe tensione me forcat e policisë, ndërsa qytetarët tentuan të hyjnë në ndërtesë për të kërkuar përgjegjësi direkte nga zyrtarët e këtij institucioni.