Kina vendos sanksione ndaj ish-shefit ushtarak japonez për shkak të Tajvanit

Deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga Tokio për këtë çështje.

By
Kina vendos sanksione ndaj ish-shefit ushtarak japonez për shkak të Tajvanit / AA

Kina të hënën njoftoi sanksione ndaj një ish-shefi të Shtabit të Përbashkët të Forcave të Vetëmbrojtjes së Japonisë, Shigeru Iwasaki, për “bashkëpunim të hapur me forcat separatiste të ‘pavarësisë së Tajvanit’”.

Iwasaki “bashkëpunoi haptazi me forcat separatiste të ‘pavarësisë së Tajvanit’, duke shkelur rëndë parimin e një Kine të vetme dhe frymën e katër dokumenteve politike midis Kinës dhe Japonisë, duke ndërhyrë seriozisht në punët e brendshme të Kinës dhe duke cenuar rëndë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme kineze.

Sanksionet ndaj Iwasakit, të cilat hynë në fuqi nga e hëna, përfshijnë ngrirjen e të gjitha pasurive të tij të luajtshme dhe të paluajtshme si dhe aseteve të tjera në Kinë, ndalimin e të gjitha organizatave dhe individëve në Kinë që të angazhohen në transaksione ose bashkëpunim me të, si dhe refuzimin e vizës dhe hyrjes së tij në Kinë, përfshirë Hong Kongun dhe Makaon.

Deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga Tokio për këtë çështje.

Qeveria e Tajvanit e emëroi Iwasakin më herët këtë vit si “këshilltar zyrtar për politikat” pranë kabinetit.

Vendimi vjen në një kohë tensionesh të larta midis Tokios dhe Pekinit, pas deklaratave të kryeministres japoneze Sanae Takaichi se një sulm kinez ndaj Tajvanit mund të përbëjë ligjërisht një “situatë që kërcënon mbijetesën”, duke i mundësuar Japonisë të “ushtrojë të drejtën e vetëmbrojtjes kolektive”.

Pekini i kritikoi ashpër këto deklarata, u bëri thirrje turistëve kinezë të shmangin Japoninë dhe gjithashtu pezulloi importet e produkteve të detit.