| Albanian
RAJONI
1 minuta leximi
Aksidentet rrugore në Shqipëri pësojnë rënie në tremujorin e parë 2026
Sipas INSTAT-it, në periudhën janar–mars 2026, numri i aksidenteve rrugore ka shënuar një rënie prej 6,3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Aksidentet rrugore në Shqipëri pësojnë rënie në tremujorin e parë 2026
Aksidentet rrugore në Shqipëri pësojnë rënie në tremujorin e parë 2026 / ATA

Instituti i Statistikave Kombëtare në Shqipëri (INSTAT) publikoi të dhënat  për aksidentet rrugore, sipas të cilave gjatë muajit mars 2026 janë regjistruar 89 aksidente, me 117 persona të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur).

Sipas INSTAT-it, në periudhën janar–mars 2026, numri i aksidenteve rrugore ka shënuar një rënie prej 6,3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat tregojnë se 86,5 për qind e aksidenteve gjatë muajit mars kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve, duke mbetur faktori kryesor që ndikon në sigurinë rrugore.

Grupmosha 25–34 vjeç paraqet numrin më të lartë të aksidenteve, duke zënë 32,6 për qind të totalit të rasteve të regjistruara.

Sa i përket shpërndarjes sipas ditëve të javës, numri më i lartë i aksidenteve është regjistruar ditën e enjte me 18,0 për qind, ndërsa më i ulëti ditën e diel me 9,0 për qind.

Ndërkohë, orari me përqendrimin më të madh të aksidenteve rezulton të jetë intervali 17:00–19:00, që përbën 23,6 për qind të totalit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë