Të paktën një person humbi jetën të martën pasi një tërmet i fuqishëm goditi prefekturën Kumamoto në jugperëndim të Japonisë, ndërsa ekipet e shpëtimit po kërkojnë të paktën 10 persona që rezultojnë të zhdukur në një qendër tregtare.
Kryeministrja Sanae Takaichi tha se autoritetet po vlerësojnë përmasat e plota të dëmeve.
Shërbimi Gjeologjik i ShBA-së (USGS) e vlerësoi fillimisht tërmetin me magnitudë 7,1, përpara se ta rishikonte në 6,8.
Lëkundjet u regjistruan në orën 16:27 sipas kohës lokale, në një thellësi prej 10 kilometrash dhe rreth pesë kilometra në lindje të qytetit Uto në Kumamoto.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë njoftoi se në zonat më të goditura tërmeti arriti intensitetin maksimal 7 në shkallën japoneze nga 0 deri në 7. Intensiteti 7 u regjistrua në Uki dhe Hikawa, ndërsa zona të tjera përreth u goditën nga lëkundje të nivelit të lartë 6.
Lëkundje u ndien edhe në prefekturat fqinje Kagoshima, Fukuoka dhe Saga.
Agjencia paralajmëroi për pasgoditje të fuqishme gjatë javës së ardhshme, veçanërisht në dy deri në tri ditët e para. Një tjetër tërmet me magnitudë 5,6 u regjistrua në orën 17:08, rreth 16 kilometra në verilindje të Tsunagit.
Në rajon u regjistruan edhe lëkundje me periudhë të gjatë, të cilat mund të shkaktojnë lëvizje të zgjatura të ndërtesave të larta dhe të ndikojnë veçanërisht në katet e sipërme.
Dëmtohen rrugë dhe ura, shemben ndërtesa
Takaichi bëri të ditur se tërmeti shkaktoi të plagosur, ndërprerje të energjisë elektrike, zjarre, dëmtime të rrugëve dhe urave, si dhe shembje ndërtesash.
Të paktën një person humbi jetën nga shembja e një banese, ndërsa rreth 50 të plagosur u transportuan në spital.
Autoritetet e Kumamotos njoftuan se 10 persona rezultojnë të zhdukur në një qendër tregtare në qytetin Kashima. Ndërprerjet e energjisë prekën rreth 48 mijë familje.
Për detet Ariake dhe Yatsushiro u lëshua një paralajmërim për cunami dhe banorëve iu kërkua të largoheshin menjëherë nga zonat bregdetare. Paralajmërimi u hoq më vonë.
Nuk u raportuan anomali në centralet bërthamore Sendai në Kagoshima dhe Genkai në Saga.
Shërbimet hekurudhore, përfshirë trenat e shpejtësisë së lartë Shinkansen, u pezulluan në rajonin Kyushu. Pamjet e transmetuesit NHK treguan se pjesë të autostradës Kyushu ishin shembur.
Më shumë se 217 mijë persona në prefekturat Kumamoto, Nagasaki dhe Fukuoka u urdhëruan të evakuohen.
Një tren mallrash doli nga shinat dhe u përmbys në Kumamoto, por nuk u raportuan të plagosur.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se Forcat e Vetëmbrojtjes nisën vëzhgimin ajror, duke u dhënë përparësi operacioneve për shpëtimin e jetëve. Ministri i Mbrojtjes, Shinjiro Koizumi, tha se janë angazhuar 3.600 pjesëtarë të forcave.
Pista e aeroportit të Kumamotos u mbyll përkohësisht dhe më pas u rihap, por fluturimet e brendshme drejt dhe nga prefektura u anuluan.
Operacion shpëtimi në qendrën tregtare Aeon Mall Kumamoto
Kryeministrja njoftoi ngritjen e Shtabit të Emergjencës për Menaxhimin e Fatkeqësisë, të cilin do ta drejtojë vetë së bashku me ministrat përkatës.
Ekipet e shpëtimit po përpiqen të nxjerrin personat e bllokuar në qendrën tregtare Aeon Mall Kumamoto në Kashima, pasi pjesë të katit të dytë u shembën pas një shpërthimi.
Pamjet ajrore të NHK-së treguan pjesë të mureve të jashtme të qendrës të shkatërruara dhe strukturën e ndërtesës të ekspozuar.
Zjarrfikësit vendosën në parking dyshekë të koduar sipas ngjyrave për klasifikimin e të plagosurve: të kuq për personat në gjendje kritike, të verdhë për të plagosurit rëndë pa rrezik të menjëhershëm për jetën dhe të gjelbër për ata që mund të ecin.
Policia e prefekturës Kumamoto tha se besohet se shumë persona mund të kenë humbur jetën në qendrën tregtare, por konfirmimi i numrit të viktimave do të kërkojë kohë.
“Do të përgjigjemi me të gjitha burimet e qeverisë dhe me vendosmërinë për të bërë gjithçka që është e mundur”, deklaroi Takaichi.
Japonia ndodhet përgjatë të ashtuquajturës “Unaza e Zjarrit” dhe është një nga vendet më të ekspozuara ndaj tërmeteve në botë. Rreth 20 për qind e tërmeteve globale me magnitudë 6 ose më të lartë regjistrohen në këtë vend.





















