Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Fondi Saudit për Zhvillim kanë vazhduar bashkëpunimin për kompletimin e rrugës nacionale Prishtinë – Mitrovicë, përkatësisht vazhdimin e punimeve në segmentin nga fshati Smrekonicë.
Ministri i Infrastrukturës dhe i Tranportit në Kosovë, Dimal Basha, tha se sipas kësaj marrëveshjeje, Fondi Saudit për Zhvillim do ta financojë ndërtimin e rrugës me 43 milionë rialë sauditë apo 12,3 milionë euro, ndërsa Republika e Kosovës do të kontribuojë me 3,7 milionë euro, në projektin që do të kushtojë gjithsej 16 milionë euro.
“Ky segment është pjesa përfundimtare e rrugës Prishtinë - Mitrovicë, pra segmenti prej 5 kilometrave dhe për këtë ndërtim do të kemi një rrugë moderne me nga dy korsi në secilin drejtim, korsitë emergjente, 4 kryqëzime kryesore, sistem të rregulluar të kullimit dhe elemente të tjera të nevojshme të sigurisë rrugore”, ka njoftuar ministri Basha.
Ai më tej njoftoi se procesi është përfundim të fazës së përgatitjes së elaboratit të shpronësimit, ndërkaq do të vazhdohet me procedurat e tenderimit për realizimin e këtij segmenti përfundimtar që lidh Prishtinën me Mitrovicën.
Sultan Al-Marshad nga Fondi Saudit për Zhvillim tha se janë krenarë për partneritetin me Kosovën dhe theksoi se duan ta vazhdojnë këtë bashkëpunim.
Al-Marshad përmendi gjithashtu një projekt në fushën e shëndetësisë.
“Kemi diskutuar gjithashtu për një projekt shumë të rëndësishëm në sektorin e shëndetësisë. Mezi presim që së shpejti ta nënshkruajmë këtë marrëveshje kredie për financimin e këtij projekti, ndoshta në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, por shpresojmë që ta nënshkruajmë shumë shpejt me vëllezërit tanë në Ministrinë e Financave dhe me ministritë e tjera”, ka thënë ai.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se ky projekt përfshin ndërtimin e një spitali të ri të pulmologjisë.
“Do të jetë spitali i ri i pulmologjisë apo mushkërive, i cili parasheh financim në vlerë prej 20 milionë dollarëve në mënyrë që të sigurohet një hapësirë moderne me teknologjinë më të fundit në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Pra, aty parashihet që të bëhet ndërtimi, por edhe për këtë nëse ka nevojë për detaje shtesë”, tha Murati.
Projekti për rrugën Prishtinë-Mitrovicë ka filluar në vitin 2009. Me një gjatësi prej 26,7 kilometrash, në tërësi në këtë projekt janë investuar rreth 100 milionë euro.
Në mars të këtij viti u përurua një segment i rrugës Prishtinë-Mitrovicë prej 9,78 kilometrash.























