BE-ja mobilizon 2 miliardë euro për ndërtimin e korridorit që lidh Zambinë, Angolën dhe Kongon

Korridori “Lobito” është “një rrugë e rëndësishme për krijimin e vendeve të punës dhe nxitjen e mundësive ekonomike në sektorët e bujqësisë, energjisë dhe mineraleve kritike”, tha komisari i BE-së.

By
BE-ja mobilizon 2 miliardë euro për ndërtimin e korridorit që lidh Zambinë, Angolën dhe Kongon / Reuters

Bashkimi Evropian njoftoi të mërkurën se deri më tani ka mobilizuar 2 miliardë euro (rreth 2,31 miliardë dollarë) për të financuar ndërtimin e një korridori transporti që lidh Zambinë, Angolën dhe Republikën Demokratike të Kongos me Oqeanin Atlantik.

Komisioneri i BE-së për Partneritete Ndërkombëtare, Jozef Sikela, e bëri njoftimin gjatë hapjes zyrtare të Forumit të Biznesit për Korridorin Lobito BE–Zambi, që nisi të mërkurën në Lusaka, kryeqyteti i këtij vendi të Afrikës Jugore, dhe që mblodhi gati 1.000 delegatë, përfshirë drejtues qeveritarë, biznesmenë dhe investitorë.

“Dy miliardë eurot janë mobilizuar përmes strategjisë Global Gateway për të ndihmuar në zgjerimin e korridorit ekzistues, i cili është një rrugë kritike që lidh Zambinë, Republikën Demokratike të Kongos dhe Angolën me Oqeanin Atlantik. Ky korridor është një rrugë e rëndësishme për krijimin e vendeve të punës dhe nxitjen e mundësive ekonomike në sektorët e bujqësisë, energjisë dhe mineraleve kritike”, tha Sikela.

Presidenti i Zambisë, Hakainde Hichilema, i cili hapi forumin, bëri thirrje për më shumë bashkëpunim midis Afrikës dhe BE-së, duke theksuar historinë e gjatë të ndërveprimit njerëzor mes kontinentit dhe bllokut evropian.

“Duhet të bëjmë më shumë për t'i zgjeruar dhe për t'i thelluar marrëdhëniet tregtare dhe biznesore në mënyrë që të krijojmë vende pune dhe mundësi biznesi, si dhe të gjenerojmë të ardhura për popullatat tona. Vetëm kështu mund të heqim qafe plagën që unë e quaj ‘njerëzit e anijes’: migrimin e paligjshëm nga Afrika drejt Evropës,” tha Hichilema.

Nënkryetari i Bankës Evropiane të Investimeve, Karl Nehammer, u zotua se banka dhe partnerët e saj do të mobilizojnë burime shtesë për ta siguruar realizimin e plotë të projektit.

Në kuadër të forumit, BE-ja dhe Zambia nënshkruan 10 marrëveshje të reja financimi me vlerë totale 200 milionë euro, si pjesë e strategjisë gjithëpërfshirëse të zhvillimit të korridorit.

Ndër përndarjet kryesore të fondeve përfshihen: 50 milionë euro për përmirësimin e infrastrukturës hekurudhore të Zambisë, 36 milionë euro për përmirësimin e bujqësisë dhe qasjes në tregje dhe 24,4 milionë euro për ndërtimin e një centrali diellor me kapacitet 32 megavat në Provincën Perëndimore të vendit.