Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme plenare ku është diskutuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.
Në seancë nuk morën pjesë deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Gjatë seancës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje partive opozitare të ofrojnë tre emra për një president unifikues, ndërsa dy kandidatët e propozuar nga Vetëvendosja, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, janë tërhequr nga kandidatura për president.
Kurti tha se zgjedhja e presidentit është vendimtare për vazhdimin e funksionimit me kapacitet të plotë të Kuvendit dhe Institucionit të Presidentit.
Ai deklaroi se dështimi i zgjedhjes së presidentit do të shkaktonte shkuarjen në zgjedhje të reja.
Ai fajësoi PDK-në dhe LDK-në, për të cilat tha se nuk kanë dhënë asnjë propozim për emrin e presidentit, pavarësisht ftesave që Lëvizja Vetëvendosje ua bëri atyre që të japin tre emra si propozime për president, ku njërin nga to mund ta përkrahte LVV-ja.
“Nuk mund ta gjeni askund në Evropë, por edhe në botë, ndonëse bota është shumë e madhe, që ka një subjekt që i ka fituar 51 për qind dhe u thotë partive opozitare më sillni tre emra, ne ua mbushim aplikacionin dhe ne ua garantojmë fituesin, njërin prej tyre. Kanë mundur t’i sjellin tre emra. Asnjë emër nuk e sollën asnjëherë dhe më besoni se edhe në takime që kam pasur, kurrë asnjë emër nuk e kanë përmendur ata. Më duhej unë të përmendja emra sa për ta cytur imagjinatën në mënyrë që biseda të bëhej konkrete”, tha Kurti.
Të martën, më 28 prill, është afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, përndryshe Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.






















