Presidenti i ShBA-së Donald Trump dhe zonja e parë Melania Trump ujanë evakuuar në një mbrëmje nga darka vjetore e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington pas një incidenti të lidhur me sigurinë gjatë ngjarjes.
Trump dhe zyrtarë të nivelit të lartë të administratës që ishin ulur pranë tij në tavolinën kryesore u shoqëruan jashtë nga agjentët e Shërbimit Sekret si pjesë e masave të shtuara të sigurisë, ndërsa të ftuarit e tjerë mbetën brenda sallës së hotelit Washington Hilton.
Më vonë u raportua se presidenti dhe zv/presidenti JD Vance janë “të sigurt dhe të mbrojtur”.
Dëshmitarët raportuan se kishin dëgjuar zhurma të forta gjatë ngjarjes.
“Ishim ulur këtu dhe papritur dëgjuam një ‘pop, pop, pop’ të fortë. Të gjithë u futën poshtë tavolinave dhe nuk e dinim çfarë po ndodhte”, citohet të ketë thënë korrespondentja e Shtëpisë së Bardhë për NewsNation, Kellie Meyer.
Tavolina kryesore u largua me shpejtësi nga skena si pjesë e masave të sigurisë, ndërsa të ftuarit e tjerë mbetën brenda sallës.
Meyer tha se pa edhe anëtarë të kabinetit duke u shoqëruar jashtë nga ambientet.
Detaje të mëtejshme nuk ishin menjëherë të disponueshme lidhur me natyrën e incidentit apo nëse ka pasur të lënduar.
Moderatorja Weija Jiang më vonë informoi të ftuarit se ngjarja do të vazhdojë në një moment të mëvonshëm.



















