Türkiye: Mandati i UNFICYP-së pa pëlqimin e turqve qipriotë në kundërshtim me praktikat e OKB-së
Ministria e Jashtme turke deklaroi se zgjatja e mandatit të misionit paqeruajtës të OKB-së në Qipro pa pëlqimin e turqve qipriotë “është në kundërshtim me praktikat dhe parimet e vendosura të OKB-së”.
Türkiye deklaroi të shtunën se zgjatja e mandatit të misionit paqeruajtës të OKB-së në Qipro (UNFICYP) pa pëlqimin e turqve qipriotë, njëri nga dy popujt sovranë dhe të barabartë të ishullit, “është në kundërshtim me praktikat dhe parimet e vendosura të OKB-së”.
Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiyes bëri deklaratën pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi të premten një rezolutë për rinovimin e mandatit të UNFICYP-it edhe për një vit tjetër.
Ankaraja tha se e mbështet “fuqishëm” deklaratën e lëshuar nga Republika Turke e Qipros Veriore (RTQV) lidhur me zgjidhjen e çështjes së Qipros.
Rezoluta, sipas ministrisë, vazhdon të mbështetet në qasje që janë provuar për dekada dhe kanë dështuar vazhdimisht, duke mos kontribuar në avancimin e një zgjidhjeje për çështjen e Qipros.
Përkundrazi, thuhet në deklaratë, rezoluta pengon rrugën drejt një zgjidhjeje të përhershme, të drejtë dhe të qëndrueshme, të bazuar në realitetet e ishullit.
Ministria i bëri gjithashtu thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së “t’i trajtojë të dyja palët në Ishull në mënyrë të barabartë dhe të fillojë më në fund të ushtrojë përpjekje të sinqerta për një zgjidhje”.
Forca paqeruajtëse vepron në territorin e RTQV-së vetëm me vullnetin e mirë të autoriteteve të RTQV-së, theksoi ministria, duke nënvizuar rëndësinë e vendosjes së një kuadri ligjor për vazhdimin e këtyre aktiviteteve.
“Nëse kjo nuk ndodh brenda një afati të arsyeshëm, hapat që do të ndërmerren nga autoritetet e RTQV-së do të kenë mbështetjen e plotë të Atdheut dhe Garantorit, Türkiyes,” thuhet në deklaratë.
Rezoluta vazhdon të përfshijë “referenca të njëanshme” lidhur me ndërtimin e rrugës Yiğitler–Pile, tha ministria, duke shtuar se bëhet fjalë për një projekt humanitar që synon t’u sigurojë qipriotëve turq që jetojnë në fshatin Pile, i cili ndodhet brenda zonës tampon, qasje të drejtpërdrejtë në atdheun e tyre, RTQV-në.
Sipas ministrisë, projekti mbetet i papërfunduar për shkak të “dështimit të forcës paqeruajtëse për të zbatuar mirëkuptimin e arritur më herët midis OKB-së dhe palës qipriote turke, për shkak të presionit të palës qipriote greke, e cila në fakt nuk ka asnjë kompetencë lidhur me këtë çështje”.
Ankaraja “dënon fuqishëm” faktin që rezoluta përjashton shkelje të shumta të zonës tampon nga pala qipriote greke, veçanërisht autostradën Astromerit–Evrihu dhe ndërtesën universitare në Pile, duke theksuar se këto shkelje po shtohen çdo ditë, ndërsa forca paqeruajtëse vazhdon t’i injorojë ato.
Sovraniteti i Administratës Qipriote Greke nuk shtrihet në veri të Ishullit dhe as nuk përfshin zonën tampon në asnjë mënyrë, theksoi ministria.
“Duke marrë parasysh se Forcat e Armatosura Turke dhe garancia efektive e Türkiyes, e jo Forca Paqeruajtëse e OKB-së, janë elementët që kanë ruajtur paqen në Ishull për gjysmë shekulli, lindin pyetje serioze mbi arsyen e ekzistencës së Forcës Paqeruajtëse të OKB-së, e cila nuk arrin të tregojë një qasje të drejtë dhe të balancuar ndaj të dyja palëve në zonën tampon që administron”, thuhet në deklaratë.
Ministria shtoi se zgjidhja më e qëndrueshme për çështjen e Qipros është bashkëjetesa e dy shteteve në ishull.
Ajo i bëri thirrje gjithashtu komunitetit ndërkombëtar dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ta njohin këtë realitet, të riafirmojnë të drejtat e lindura të popullit qipriot turk, përfshirë barazinë sovrane dhe statusin e barabartë ndërkombëtar, dhe të mbështesin ndërtimin e një të ardhmeje premtuese përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy shteteve fqinje në ishull, duke promovuar zhvillimin rajonal, stabilitetin dhe prosperitetin.
Problemi disadekadësh
Qiproja është përfshirë prej dekadash në një konflikt midis qipriotëve grekë dhe qipriotëve turq, pavarësisht përpjekjeve të shumta diplomatike të OKB-së për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse.
Sulmet etnike që nisën në fillim të viteve 1960 detyruan qipriotët turq të tërhiqeshin në enklava për sigurinë e tyre.
Në vitin 1974, një grusht shteti nga qipriotët grekë, që synonte aneksimin e ishullit nga Greqia, çoi në ndërhyrjen ushtarake të Türkiyes si fuqi garantuese për të mbrojtur qipriotët turq nga persekutimi dhe dhuna. Si rezultat, në vitin 1983 u themelua Republika Turke e Qipros Veriore.
Vitet e fundit ka pasur një proces paqeje me ndërprerje, përfshirë edhe një iniciativë të dështuar në vitin 2017 në Zvicër, nën kujdesin e fuqive garantuese Türkiye, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Administrata Qipriote Greke iu bashkua Bashkimit Evropian në vitin 2004, po atë vit kur qipriotët grekë bllokuan një plan të OKB-së për t’i dhënë fund konfliktit të gjatë.