Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, deklaroi të premten se Izraeli është bërë një “kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë globale” dhe bëri thirrje për një përgjigje “kolektive” ndërkombëtare, duke argumentuar se paqëndrueshmëria në rritje nuk mund të shihet më vetëm në prizmin rajonal.
Duke folur në University of Oxford mbi riorganizimin global, Fidan tha se bota nuk po përjeton thjesht një tranzicion gjeopolitik, por një transformim më të thellë.
“Ajo që po dëshmojmë sot nuk është një tranzicion, por më tepër një transformim,” tha ai, duke shtuar se shtetet nuk mund të “delegojnë më sigurinë e tyre, diplomacinë apo imagjinatën strategjike.”
Duke iu referuar luftës me Iranin, e cila filloi me sulme nga ShBA-ja dhe Izraeli, Fidan tha se konflikti i ka dhënë “një goditje të rëndë prosperitetit, sigurisë dhe stabilitetit global.”
“Kërcënimi sistematik i Izraelit për destabilizimin e rajonit ka tejkaluar kufijtë lokalë dhe tani përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë globale,” tha ai, duke shtuar se veprime të tilla “kërkojnë një përgjigje kolektive nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare.”
Fidan theksoi gjithashtu se “dallimi mes krizave rajonale dhe globale është zhdukur plotësisht”, duke argumentuar se konfliktet nuk mund të trajtohen më si të izoluara.
Ai tha se kjo pasiguri ka rritur rëndësinë e fuqive të mesme, duke i përshkruar ato si shtete me “gjeografi strategjike”, shtrirje diplomatike dhe vullnet politik për të prodhuar rezultate.
Fidan përmendi pozitën gjeografike të Türkiye, rolin institucional si anëtare e NATO-s dhe kandidate për në BE, si dhe përpjekjet ndërmjetësuese – nga iniciativa për drithin në Detin e Zi deri te diplomacia në Bririn e Afrikës – si shembuj të rolit të Ankarasë në menaxhimin e krizave.
Ai gjithashtu bëri thirrje për reformë të institucioneve globale dhe për një rend rajonal në Lindjen e Mesme të bazuar në bashkëpunim dhe jo në “dominim apo nënshtrim”, duke mbështetur “zgjidhje rajonale për probleme rajonale nga vendet e rajonit.”






















