Türkiye hodhi poshtë të mërkurën “pretendimet e pabazuara” në raportin e Komisionit Evropian për Türkiye për vitin 2026, duke akuzuar disa zyrtarë të BE-së për zbatimin e standardeve të dyfishta dhe ndjekjen e një qasjeje gjithnjë e më jokonsistente ndaj Ankarasë.
Në një deklaratë në përgjigje të raportit, Ministria e Jashtme tha se vlerësimi i Komisionit Evropian, i publikuar në kuadër të Paketës së Zgjerimit për vitin 2026, dëshmoi edhe një herë “qëndrimin paragjykues dhe të padrejtë” të BE-së ndaj Türkiyes.
Ministria i kritikoi veçanërisht vlerësimet e raportit lidhur me kriteret politike, sistemin gjyqësor dhe të drejtat themelore, duke i cilësuar pretendimet si të pabesueshme.
Ajo akuzoi gjithashtu BE-në se mbështet “qëndrime jorealiste dhe ligjërisht të diskutueshme” të Greqisë dhe administratës qipriote greke, ndërsa shpërfill të drejtat dhe interesat legjitime të Türkiyes dhe Republikës Turke të Qipros Veriore.
Lidhur me çështjen e Qipros, Ankaraja përsëriti se BE-ja nuk mund të japë kontribut domethënës në përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje, për sa kohë që e mbështet pa kushte qëndrimin e qipriotëve grekë.
Ministria hodhi poshtë vlerësimet e raportit për Mesdheun Lindor, duke i cilësuar ato si në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe parimin e drejtësisë.
Ajo gjithashtu i hodhi poshtë komentet e raportit lidhur me marrëveshjen detare mes Türkiyes dhe Libisë, duke deklaruar se ato nuk kanë vlefshmëri juridike.
Mirëpret vlerësimet pozitive për ekonominë
Në një pjesë tjetër të deklaratës, ministria mirëpriti disa aspekte të raportit, veçanërisht njohjen e përparimit të Türkiyes në politikat ekonomike dhe monetare.
Ankaraja tha se i konsideron pozitive vlerësimet e BE-së për funksionimin e ekonomisë së tregut në Türkiye dhe aftësinë e saj për t’i përballuar presionet konkurruese brenda BE-së.
Ministria mirëpriti gjithashtu referencat për rolin e Türkiyes në ndërlidhje, zinxhirët e furnizimit, qëndrueshmërinë e zinxhirëve të vlerës, mbrojtje dhe siguri.
Duke iu referuar të dhënave ekonomike dhe tregtare të përfshira në raport, Ankaraja e përsëriti thirrjen për modernizimin e Bashkimit Doganor BE-Türkiye, duke e cilësuar këtë si një pritshmëri legjitime dhe të arsyeshme.
Bën thirrje për partneritet më të fuqishëm BE-Türkiye
Ministria theksoi se marrëdhëniet mes Türkiyes dhe BE-së duhet të bazohen në interesa të përbashkëta dhe një vizion afatgjatë, e jo në llogaritje të ngushta politike dhe qasje të njëanshme.
Duke e riafirmuar gatishmërinë e Türkiyes për t’i çuar përpara marrëdhëniet mbi bazën e besimit të ndërsjellë, respektit dhe drejtësisë, në deklaratë thuhet se Ankaraja mbetet e përkushtuar ndaj detyrimeve të saj në kuadër të së drejtës së partneritetit dhe parimit të respektimit të marrëveshjeve.
Türkiye gjithashtu i bëri thirrje BE-së që rritjen e fundit të dialogut ta shndërrojë në vendime konkrete që do ta forconin perspektivën e anëtarësimit të vendit në BE.
Ministria i kërkoi Brukselit të tregojë vullnetin politik strategjik të nevojshëm për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët me Türkiyen.






















