Në qytetin e Shkodrës është mbajtur programi me temë “Festivali i Kuzhinës Turke”, organizuar nga Ambasada e Republikës së Türkiyes në Tiranë dhe Instituti "Yunus Emre" Shkodër, me rastin e Javës së Kuzhinës Turke.
Në aktivitetin e organizuar në ambientet e institutit, ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, përfaqësues të tjerë të institucioneve turke, përfaqësues të organizatave të ndryshme dhe studentë.
Në fjalën e tij, ambasadori Ceyhun u shpreh se këtë vit tema e Javës së Kuzhinës Turke është përcaktuar si "Trashëgimi në një sofër". Ai theksoi se në kulturën turke, sofra nuk është vetëm një vend ku hahet ushqimi, por sipas tij është një hapësirë takimi ku jetojnë solidariteti dhe miqësia.
"Kuzhina turke është një thesar i madh kulturor i formuar nga një akumulim mijëravjeçar historik dhe nga përpjekjet e përbashkëta të qytetërimeve të ndryshme. Në udhëtimin nga Azia Qendrore drejt Anadollit traditat e bartura janë bashkuar në tokën pjellore të Anadollit, duke krijuar një kulturë kulinare të pasur. Kjo trashëgimi nuk i përket vetëm Türkiyes, por është gjithashtu pjesë e kujtesës së përbashkët të Ballkanit dhe hapësirës mesdhetare", tha Erciyes.
Ambasadori turk theksoi se është e çmuar për të shohin se afërsia historike dhe kulturore mes Türkiyes dhe Shqipërisë reflektohet edhe në sofra.
Ai tha ndër të tjera se libri mbi kuzhinën turke me recetat ushqimore i përgatitur nën udhëheqjen e Zonjës së Parë të Türkiyes, Emine Erdoğan, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në promovimin e kuzhinës turke në arenën ndërkombëtare.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe drejtori i Institutit "Yunus Emre" për Shqipërinë, Oguzhan Sakoglu, i cili foli mbi aktivitetet e institutit.
Gjithashtu një fjalë përshëndetëse mbajti edhe ish-deputetja e Parlamentit të Türkiyes, Arzu Erdem.
Pjesëmarrësit shijuan edhe gatimet tradicionale turke të përgatitura nga mastershefja Esra Tokelli.
Pjesë e programit ishte edhe interpretim i poezive nga poeti dhe prezantuesi Alper Ozdemir dhe shfaqja tradicionale Sema.
Gjithashtu, u prezantua edhe ekspozita personale e miniaturës e pedagoges Gulseren Toy mbi artet tradicionale turke miniaturë. Ekspozita sjell gamën estetike të artit tradicional turk të miniaturës.




























