Liderët e Qipros Greke, Greqisë, Italisë dhe Maltës ranë dakord të forcojnë koordinimin për të parandaluar krizë të mundshme migracioni që buron nga konflikti në Lindjen e Mesme.
Takimi u zhvillua në margjinat e mbledhjes joformale të liderëve të Bashkimit Evropian (BE) në Qipron Greke, ku katër vendet diskutuan për “iniciativa të mundshme që do të zbatohen në mënyrë të koordinuar dhe koherente” për të shmangur përsëritje të krizës së migracionit të vitit 2015.
Duke përmendur rëndësinë e përpjekjeve diplomatike për zgjidhjen e konfliktit, liderët theksuar nevojën për bashkëpunim të ngushtë me partnerët rajonal për t'i mbështetur popullsitë e prekura. Ata gjithashtu shqyrtuan masa për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së, duke përmendur pozitën e tyre si shtete të vijës së parë që janë më të ekspozuara ndaj flukseve të mundshme të migracionit të parregullt.
Liderët theksuan se çdo hap do ta respektojë plotësisht të drejtën ndërkombëtare, duke garantuar njëkohësisht menaxhim efektiv të kufijve dhe siguri. Duke vënë në pah nevojën për përgjigje të unifikuar, ata ritheksuan rëndësinë e qasjes së përbashkët evropiane për ta maksimizuar efektivitetin e masave kombëtare përballë një vale të mundshme migrimi.
Katër vendet ngarkuan ministrat e tyre të brendshëm dhe të migracionit që të ruajnë koordinim të ngushtë, përfshirë bashkëpunimin me Komisionin Evropian për t'i harmonizuar përpjekjet kombëtare me iniciativat në nivel të BE-së.




















