Samiti 3. Global i Ekonomisë Islame do të mbahet në Stamboll më 3-6 qershor, duke bashkuar politikëbërës globalë, guvernatorë të bankave qendrore, investitorë, institucione financiare, akademikë dhe përfaqësues të industrisë.
Samiti katërditor, i organizuar nga Forumi “AlBaraka” për Ekonominë Islame në kuadër të “AlBaraka Summits Türkiye”, do të zhvillohet në selinë e “Halkbank” në Qendrën Financiare të Stambollit.
Organizimi i sivjetmë do të mbahet nën temën “Kapitali në Ekonominë Islame: Strukturimi i Pasurisë për Zhvillim të Qëndrueshëm”, duke u përqendruar në financat etike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe të ardhmen e ekonomisë dhe financave islame.
Sesionet do ta trajtojnë inteligjencën artificiale, transformimin digjital, kapitalin digjital, inovacionin financiar, fintech islamik, ekosistemet e likuiditetit të qëndrueshëm dhe sipërmarrjen rinore, ndërsa Agjencia Anaolli (AA) do të shërbejë si partneri global i komunikimit të evenimentit.
Një sesion kryesor, “Kapitali digjital dhe Inovacioni Financiar: Teknologjia, Qeverisja dhe Integriteti i Sheriatit”, do të shqyrtojë përdorimin e inteligjencës artificiale në operacionet financiare islame, përfshirë vlerësimin e kreditit, monitorimin e riskut, pajtueshmërinë e automatizuar dhe tokenizimin e aseteve në përputhje me Sheriatin.
Samiti do të presë një panel të posaçëm me ministra dhe guvernatorë të bankave qendrore, të moderuar nga Mahmoud Mohieldin, i dërguari special i OKB-së për financimin e Agjendës së Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030.
Në panel do të marrin pjesë Fatih Karahan, guvernatori i Bankës Qendrore të Türkiyes, Abdul Rasheed Ghaffour, guvernatori i “Bank Negara Malaysia” dhe Yahya Jawdat Hafez Shunnar, guvernatori i Autoritetit Monetar të Palestinës.
Diskutimet pritet të mbulojnë kornizat e stabilitetit financiar, qeverisjen e rrjedhës së kapitalit, ekosistemet e likuiditetit të qëndrueshëm dhe qëndrueshmërinë ekonomike. Samiti do të përfshijë sesione për udhëheqës të rinj të biznesit, sipërmarrës dhe krijues digjitalë, duke u përqendruar në instrumentet financiare islame, modelet e qëndrueshme të biznesit dhe krijimin e vlerës në ekonominë digjitale.
Gjithashtu janë planifikuar disa ceremoni nënshkrimi të memorandumeve të mirëkuptimit për të forcuar bashkëpunimin midis akademisë, financave dhe industrisë.























