Meloni: Italia do t'i bashkohet "Bordit të Paqes" si vëzhguese

Kryeministrja italiane tha se Roma mbështet iniciativën si "zgjidhje e mirë" për krizën në Lindjen e Mesme, ndërsa kërkoi bashkëpunim më të fortë BE-ShBA.

By
Meloni: Italia do t'i bashkohet "Bordit të Paqes" si vëzhguese / Reuters

Italia do të marrë pjesë si vëzhguese në nismën e Shtëpisë së Bardhë “Bordi i Paqes”, konfirmoi sot kryeministrja Giorgia Meloni.

Duke folur në një intervistë për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”, Meloni tha se Italia ka marrë ftesë për të marrë pjesë me status vëzhguesi dhe se do të përgjigjet pozitivisht.

“Ne u ftuam si vend vëzhgues dhe, sipas mendimit tonë, kjo është një zgjidhje e mirë sa i përket problemit të luftës në Lindjen e Mesme”, tha ajo.

Ajo vuri në dukje se kufizimet kushtetuese e pengojnë Italinë të bëhet formalisht pjesë e këtij organi, por theksoi se Roma e mbështet gjithsesi nismën, duke e cilësuar Lindjen e Mesme si “prioritet”, gjë që, sipas saj, dëshmohet nga angazhimi i vazhdueshëm diplomatik i Italisë në rajon.

Meloni shtoi se niveli i përfaqësimit italian ende nuk është përcaktuar, pasi ftesat u janë dërguar së fundmi partnerëve evropianë. Ajo theksoi se edhe vende të tjera evropiane, veçanërisht shtetet mesdhetare dhe ato gjeografikisht më afër rajonit, mund të marrin pjesë me një rol të ngjashëm vëzhguesi.

Deklaratat e saj u bënë gjatë konsultimeve me liderë evropianë, si dhe kontakteve me ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani, i cili ka marrë pjesë në takime me partnerët e Bashkimit Evropian të fokusuara në Rripin e Gazës.

Më 22 janar, përfaqësues të 19 vendeve nënshkruan Kartën e Bordit të Paqes në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër.

Bordi i Paqes u krijua në kuadër të përpjekjeve për një zgjidhje paqësore në Rripin e Gazës dhe synon nxitjen e paqes në mbarë botën. Washingtoni ka bërë të ditur se më pas i janë bashkuar edhe shtete të tjera kësaj nisme.

Takimi i parë i Bordit të Paqes është planifikuar për më 19 shkurt në Uashington, në nivelin e liderëve.

Mediat italiane raportojnë se Tajani mund ta përfaqësojë përfundimisht Romën në takimin e Washingtonit, megjithëse ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.

Duke folur më gjerë për marrëdhëniet transatlantike, Meloni theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Evropës dhe ShBA-së, duke e cilësuar fazën aktuale si “shumë komplekse”, por duke theksuar se të dyja palët duhet të punojnë për të forcuar atë që i bashkon, e jo ndarjet.

Ajo mbështeti gjithashtu thirrjet që Evropa të bëjë më shumë në fushën e sigurisë, veçanërisht brenda shtyllës evropiane të NATO-s, ndërsa u distancua nga kritikat politike ndaj lëvizjes MAGA (Bëje Amerikën të Madhe Sërish) të presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se këto gjykime i përkasin politikës partiake dhe jo institucioneve të Bashkimit Evropian.