| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Presidenti turk dhe kreu i OKB-së diskutojnë çështje rajonale dhe globale në COP31
Gjatë takimit, presidenti Erdoğan ka shprehur shpresën se konferenca, e cila organizohet nga Türkiye në qytetin jugor të Antalyas, do të shënojë “një pikënisje të re” në përballjen me sfidat që lidhen me klimën.
Presidenti turk dhe kreu i OKB-së diskutojnë çështje rajonale dhe globale në COP31
Presidenti turk dhe kreu i OKB-së diskutojnë çështje rajonale dhe globale në COP31/ AA

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, të martën u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, në margjinat e konferencës së OKB-së për klimën COP31 në Antalya të Türkiyes.

Sipas një deklarate të Presidencës së Türkiyes, dy liderët kanë diskutuar çështje rajonale dhe globale, përfshirë tensionet mes Iranit dhe SHBA-së, luftën në Ukrainë dhe zhvillimet në Gaza, Qipro dhe Libi.

Gjatë takimit, Erdogan ka thënë se Türkiye është e kënaqur që ka marrë kryesimin e COP31 dhe se janë bërë përgatitjet për organizimin e një konference të suksesshme.

Ai ka shprehur shpresën se konferenca, e cila organizohet nga Türkiye në qytetin jugor të Antalyas, do të shënojë “një pikënisje të re” në përballjen me sfidat që lidhen me klimën.

Duke folur për tensionet rajonale, Erdoğan ka thënë se Türkiye po i vazhdon përpjekjet, së bashku me vendet e tjera të rajonit, për uljen e tensioneve mes Iranit dhe ShBA-së.

Sipas Presidencës, ai e ka theksuar përkushtimin e Ankarasë për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes dialogut dhe diplomacisë.

Lidhur me luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, Erdogan ka thënë se Türkiye po punon për t’i dhënë fund konfliktit dhe se mbetet e gatshme të mbështesë një proces të ri dialogu.

Dy liderët kanë diskutuar gjithashtu zhvillimet e fundit në Gaza, Qipro dhe Libi, njoftoi Presidenca.

Në takim morën pjesë edhe bashkëshortja e presidentit turk, Emine Erdoğan, ministri i Jashtëm Hakan Fidan, ministri i Mjedisit, i Urbanizimit dhe i Ndryshimeve Klimatike Murat Kurum, ministri i Shëndetësisë Kemal Memisoglu dhe kreu i Drejtorisë së Komunikimeve Burhanettin Duran.

Gjithashtu, të pranishëm ishin zëvendëskryetari dhe zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Omer Celik, si dhe presidenti i Fondacionit Zero Mbetje, Samed Agirbas.