Vendet arabe e myslimane: Plani izraelit për dënimin me vdekje të palestinezëve rrit tensionet
Ministrat e Türkiyes, Egjiptit, Indonezisë, Jordanisë, Pakistanit, Katarit, Arabisë Saudite dhe EBA-së u fokusuan mbi projektligjin, duke thënë se ligji në fjalë do të zbatojë dënimin me vdekje për të burgosurit palestinezë.
Ministrat e Jashtëm nga tetë vende arabe dhe myslimane paralajmëruan sot se një ligj i propozuar izraelit që vendos dënimin me vdekje për të burgosurit palestinezë mund të rrisë tensionet rajonale.
Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e Türkiyes, Egjiptit, Indonezisë, Jordanisë, Pakistanit, Katarit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe u fokusuan mbi projektligjin, duke thënë se ai do të zbatojë dënimin me vdekje për të burgosurit palestinezë.
“Ministrat nënvizojnë se ky legjislacion përbën përshkallëzim të rrezikshëm, veçanërisht duke patur parasysh zbatimin e tij diskriminues kundër të burgosurve palestinezë”, tha deklarata, duke shtuar se masa të tilla rrezikojnë “të përkeqësojnë më tej tensionet dhe të minojnë stabilitetin rajonal”.
Ministrat thanë se praktikat gjithnjë e më diskriminuese izraelite rrezikojnë të ngulin “një sistem aparteidi” dhe të promovojnë “diskurs refuzues që mohon të drejtat e patjetërsueshme dhe vetë ekzistencën e popullit palestinez” në territorin e pushtuar palestinez.
Ata shprehën shqetësim për kushtet e paraburgimit, duke cituar “raporte të besueshme për abuzime të vazhdueshme, përfshirë torturën, trajtimin çnjerëzor dhe degradues, urinë dhe mohimin e të drejtave themelore”.
“Këto praktika pasqyrojnë model më të gjerë shkeljesh kundër popullit palestinez”, thekson deklarata. Ministrat riafirmuan kundërshtimin e tyre ndaj asaj që e përshkruan si “politika diskriminuese, shtypëse dhe agresive të Izraelit që synojnë palestinezët” dhe bënë thirrje për përmbajtje.
Duke theksuar “nevojën urgjente për t’u përmbajtur nga masat e vendosura nga fuqia pushtuese që rrezikojnë të nxisin më tej tensionet”, ata kërkuan llogaridhënie dhe përpjekje më të forta ndërkombëtare për të ruajtur stabilitetin dhe për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm.