Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) bëri thirrje për mbështetje më të madhe ndërkombëtare për Sudanin, duke paralajmëruar se nevojat humanitare vazhdojnë të rriten ndërsa financimi mbetet shumë nën nivelin e nevojshëm.
"Sudani është një nga krizat më të mëdha humanitare në botë, megjithatë është edhe një nga më të neglizhuarat", u tha gazetarëve në Gjenevë i dërguari i posaçëm i IFRC-së për Sudanin, Derk Segaar, pas kthimit nga ky vend.
Segaar tha se ndërsa vëmendja globale është përqendruar te Darfuri dhe Kordofani, pasojat e më shumë se tre viteve konflikt po ndihen në të gjithë vendin.
Ai tha se 35 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë humanitare, më shumë se 9 milionë janë të zhvendosur brenda vendit dhe 4.5 milionë të tjerë janë larguar nga Sudani.
Segaar tha se Gjysmëhëna e Kuqe Sudaneze, e mbështetur nga IFRC-ja, ka 122 mijë vullnetarë në të gjitha 18 shtetet dhe mbetet një nga organizatat e pakta që arrijnë t’i ndihmojnë komunitetet në mbarë vendin. Megjithatë, ai theksoi se vullnetarët nuk mund t'u përgjigjen nevojave të jashtëzakonshme pa mbështetje më të madhe ndërkombëtare.
Ai tha se Khartoumi mbetet rëndë i dëmtuar, me miliona njerëz që ende nuk kanë qasje të qëndrueshme në energji elektrike, ujë të pastër dhe kujdes shëndetësor, ndërsa kolera, kequshqyerja e përhapur dhe përmbytjet sezonale paraqesin rreziqe shtesë.
Segaar theksoi se vetëm 35 për qind e apelit emergjent të IFRC-së për Sudanin është financuar, duke paralajmëruar se zvogëlimi i burimeve humanitare rrezikon përpjekjet për t’i mbështetur komunitetet që po përpiqen të rindërtohen pas më shumë se 1.200 ditësh konflikti.























