Komisioni Evropian (KE) ka reaguar për protestat e fundit në Shqipëri, duke theksuar se dënojnë përdorimin e dhunës.
Në deklaratën e KE-së thuhet se përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi nëpërmjet procedurave të rregullta ligjore.
"Dënojmë përdorimin e dhunës në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë zjarrvënien, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe reagimi ndaj saj duhet të jetë gjithmonë në përputhje me ligjin dhe proporcional", theksohet në deklaratë.
Gjithashtu thuhet se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, "të cilat duhen respektuar dhe ushtruar në mënyrë paqësore".
"Mirëpresim angazhimin e autoriteteve shqiptare për të garantuar të drejtën e protestës. Në një vend kandidat, i angazhuar me vendosmëri në procesin e anëtarësimit në BE dhe që po shënon përparim të rëndësishëm në rrugën e tij evropiane, shqetësimet duhet të adresohen përmes dialogut konstruktiv dhe në mënyrë paqësore", thekson deklarata.
Në Shqipëri në ditët e fundit janë mbajtur protesta të thirrura nga studentët dhe mbështetura nga qytetarët, të cilat janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, akteve të dhunës dhe dëmtim të pronës publike dhe institucioneve.
Protestuesit kanë pretenduar se shqetësimet e ngritura lidhen me nevojat e studentëve, të cilat sipas tyre nuk janë adresuar në vitet e fundit, ndërkohë kërkesat e tyre janë zgjeruar dhe në çështje të tjera. Gjithashtu një pjesë e studentëve kërkojnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Disa nga problematikat me të cilat studentët kanë pretenduar se përballen lidhen me kushtet në arsim, investimet e pamjaftueshme, kostot e larta të qirave dhe mungesën e konvikteve.
Studentët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim.























