| Albanian
LINDJA E MESME
4 minuta leximi
Rreth 1.900 anije mbeten të bllokuara pranë Ngushticës së Hormuzit
Pala iraniane tha se ka ndryshuar rregullat e ngushticës dhe se situata nuk do të kthehet në gjendjen para luftës.
Rreth 1.900 anije mbeten të bllokuara pranë Ngushticës së Hormuzit
Rreth 1.900 anije mbeten të bllokuara pranë Ngushticës së Hormuzit / Reuters
4 orë më parë

Rreth 1.900 anije tregtare kanë mbetur të bllokuara në Ngushticën e Hormuzit, kryesisht në Gjirin Persik, që nga fillimi i sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit më 28 shkurt.

Pas nisjes së sulmeve, Teherani mbylli këtë rrugë ujore jetike për anijet e lidhura me vendet sulmuese, duke sjellë ndalimin e trafikut detar në ngushticë.

Anijet në rajon, që përgatiteshin të kalonin përmes ngushticës, nuk mundën ta bënin këtë për shkak të tensioneve ushtarake ndërsa shumica e anijeve të bllokuara hodhën spirancat në ujëra të hapura.

Teherani tha se anijet nga vende të tjera përveç SHBA-së dhe Izraelit mund të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit për sa kohë që nuk marrin pjesë ose nuk mbështesin agresionin kundër Iranit dhe respektojnë plotësisht rregullat e sigurisë.

Dje, Ebrahim Zolfaqari, zëdhënës i komandës së unifikuar të forcave të armatosura të Iranit, Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya tha se pala iraniane ka ndryshuar rregullat e ngushticës dhe se situata nuk do të kthehet në gjendjen para luftës, duke theksuar se asnjë entitet i lidhur me SHBA-në dhe Izraelin nuk ka të drejtë kalimi.

Sipas sistemit të monitorimit "MarineTraffic", gjatë periudhës 20-22 mars rreth 1.900 anije nuk mund të lëvizin në zonën përreth Ngushticës së Hormuzit. Mes anijeve të bllokuara janë rreth 324 anije transportuese të ngarkesave të thata, 315 transportuese të produkteve të naftës/kimikateve, 267 transportuese të produkteve të naftës dhe 211 tankerë të naftës bruto.

Sipas kompanisë analitike "Vortexa", rreth 190 milionë fuçi nafte bruto dhe produkte të naftës ndodhen në bord të tankerëve të bllokuar në rajon.

Ndërkohë, në rajon ndodhen edhe 177 anije për ngarkesa të përgjithshme, 174 anije kontejnerësh, 98 transportues të gazit të lëngshëm të naftës (LPG), 42 transportues të asfaltit/bitumit, 37 anije për ngarkesa të rënda dhe 34 tankerë LPG/kimikate ndërsa pjesa tjetër e anijeve të bllokuara përfshin lloje të tjera si anije "Ro-Ro", tankerë furnizimi me karburant dhe anije për ngarkesa të rënda.

Kompania gjermane "Hapag-Lloyd" njoftoi së fundmi se gjashtë nga anijet e saj nuk mund të operojnë në Gjirin Persik për shkak të tensioneve të vazhdueshme.

- Rriten ndjeshëm tarifat e transportit, rrugët alternative mbeten të pamjaftueshme

Drejtori i analizës detare në Këshillin Baltik dhe Ndërkombëtar të Transportit Detar, Filipe Gouveia tha për Anadolu se ndikimi i ndalimit të trafikut detar në tregjet detare dhe tarifat e transportit do të varen nga disa faktorë.

Gouveia tha se zhvillimet e çmimeve të karburantit, kohëzgjatja e mbylljes së ngushticës dhe numri i anijeve që Irani lejon të kalojnë nëpër rajon do të jenë vendimtare ndërsa tensionet në rajon po ndikojnë në rritjen e tarifave të transportit.

Rritja është veçanërisht e dukshme në tregun e tankerëve, përfshirë tankerët e naftës bruto dhe të produkteve të naftës. Ai tha se që nga 27 shkurti, Indeksi Baltik i Tankerëve të Naftës së Papërpunuar është rritur me 49 për qind dhe Indeksi Baltik i Tankerëve të Pastër me 78 për qind deri më 20 mars, ndërsa edhe tarifat në tregun e kontejnerëve janë rritur.

Rritja e kostove të karburantit dhe njoftimet e linjave detare për tarifa shtesë emergjente për karburantin kanë kontribuar në këtë rritje.

Ai tha se në kushte normale, 30 për qind e eksporteve globale të naftës përmes detit, 4 për qind e ngarkesave të thata dhe 3 për qind e volumit të kontejnerëve kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit ndërsa vetëm një pjesë e eksporteve nga Gjiri Persik mund të zëvendësohen nga burime alternative dhe se rrugët tokësore alternative nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm për të përmbushur nevojat normale të volumit të ngarkesave.

Gouveia shtoi se rreth 5.5 për qind e flotës botërore të tankerëve dhe 1.5 për qind e flotave të kontejnerëve dhe ngarkesave të thata vlerësohet se ndodhen aktualisht në Gjirin Persik.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë