| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Rama për "Albanian Digital Solutions": Ditë e shënuar në rrugën e revolucionit digjital
"Është një ditë e shënuar në rrugën e revolucionit digjital dhe transformimit rrënjësor të qeverisjes së vendit përmes teknologjisë", tha Rama në aktivitetin e prezantimit të "Albanian Digital Solutions" (ADS).
Rama për "Albanian Digital Solutions": Ditë e shënuar në rrugën e revolucionit digjital
Rama për "Albanian Digital Solutions": Ditë e shënuar në rrugën e revolucionit digjital

Në Shqipëri është prezantuar sot "Albanian Digital Solutions" (ADS), shoqëria e re publike, sipas autoriteteve shqiptare, e krijuar për të çuar në një fazë të re transformimin digjital të Shqipërisë dhe modernizimin e shërbimeve publike.

Në aktivitetin e zhvilluar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve dhe sektorit të teknologjisë, ishte i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e cilësoi krijimin e ADS-së si një hap në forcimin e kapaciteteve shtetërore në zhvillimin, mirëmbajtjen dhe inovacionin e sistemeve digjitale.

"Është një ditë e shënuar në rrugën e revolucionit digjital dhe transformimit rrënjësor të qeverisjes së vendit përmes teknologjisë sepse sot ne bëjmë publike një kompani të re, një shoqëri të re, e cila krijohet si një domosdoshmëri në këtë fazë të re të zhvillimit të qeverisjes elektronike", tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKShI) është një histori e jashtëzakonshme suksesi, që sipas tij ka kaluar përmes një rruge aspak të lehtë.

Rama shtoi se me "Albanian Digital Solutions", synohet që të zhvillohen sisteme pa pasur gjithmonë nevojë që shteti t'i drejtohet privatit, "me ambicien që shteti të krijojë kompaninë më të suksesshme publike të zhvillimit të sistemeve dhe të mirëmbajtjes së tyre".

"Inteligjenca artificiale ka hyrë në prokurimet publike kudo, por ka hyrë në segmente të caktuara të procesit ndërkohë që e jona është përpjekja e parë që synon të mbulojë me inteligjencë artificiale të gjithë procesin dhe në këtë përpjekje ne jemi të angazhuar, por edhe të koordinuar me shumë shtete. Me agjencitë apo strukturat që merren me shërbimet dhe me qeverisjen elektronike në shumë shtete", tha Rama.

Duke folur edhe për krijimin e kompanive në fushën e mbrojtjes, Rama tha: "Ne nuk duam të huaj që të vijnë në Shqipëri të marrin toka, të marrin kapanone, të marrin struktura dhe të prodhojnë. Ne duam që cilido që vjen në Shqipëri të bashkëprodhojë me ne, të bashkëprodhojë me shtetin shqiptar, me Ministrinë e Mbrojtjes dhe me kompaninë që ne kemi krijuar 'Kayo'. Kompania tjetër e krijuar që së shpejti do fillojë të japë prodhimet e para është kompania 'Guna' e cila do të prodhojë të gjitha uniformet e shtetit shqiptar, duke filluar nga të gjitha uniformat e ushtrisë shqiptare".

"Në Shqipëri prodhohen uniforma për ushtrinë suedeze. Sot ne kemi këtë kompani të përbashkët, e cila do të prodhojë uniformat për ne, për shtetin shqiptar, për ushtrinë shqiptare, për Policinë Shqiptare, për zjarrfikëset, për Policitë Bashkiake dhe do të prodhojë uniforma, edhe për ushtritë e tjera të NATO-s", tha ndër të tjera Rama.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë