Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherësh kyeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se vazhdimi i procesit të konstituimit të Kuvendit pa një marrëveshje politike për çështjen e presidentit mund ta vështirësojë arritjen e një dakordimi me njërën prej partive parlamentare dhe praktikisht të çojë në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme parlamentare.
Kurti në një konferencë për media në hollin e Kuvendit të Kosovës, pak orë pasi u betuan deputetët e Legjislaturës së 11-të, sqaroi se ka kërkuar kohë shtesë për vazhdimin e diskutimeve politike, duke thënë se një marrëveshje për presidentin do të mundësonte konstituimin e plotë të institucioneve.
“Çfarëdo konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për çështjen e presidentit praktikisht do të ishte parapërgatitje për shpërndarjen e Kuvendit”, deklaroi Kurti.
Kurti tha se e vetmja rrugë për të shmangur zgjedhjet e reja është dhënia e mundësisë për dialog politik.
“LDK-ja i pezulloi bisedimet pas problemeve të brendshme dhe diskutimi i radhës pardje me kryetarin e LDK-së tregoi që nuk ishte kohë e mjaftueshme për të arritur dakordim. Përballë kësaj situate është e nevojshme t’i jepet shans vazhdimit të diskutimeve para se të lëvizim për konstituimin e Kuvendit, që mund ta vështirësonte marrëveshjen potenciale dhe evitimin e zgjedhjeve të radhës”, ka thënë ai.
Sipas Kurtit, sapo të arrihet marrëveshja për presidentin, do të vazhdohet me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve.
“Kur ta kemi një marrëveshje, ta ftojmë vazhdimin e seancës konstituive, kur të jemi të siguruar që kemi bërë gjithçka për të evituar shkuarjen edhe në një palë zgjedhje të panevojshme”, tha Kurti.
Kurti edhe njëherë u bëri thirrje që të ulen në tavolinën e dialogut me të, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, si dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini.
Seanca konstituive u ndërpre pas betimit të deputetëve të legjislaturës së re. Kuvendi i Kosovës konsiderohet i konstituuar atëherë kur emërohet kryetari i ri dhe pesë nënkryetarët. Të nesërmen, deri në fund të ditës, është afati i fundit kur duhet të konstituohet Kuvendi i Kosovës.




















