Kosova miraton nismën për marrëveshje të bashkëpunimit financiar ushtarak me Türkiyen
“Kjo marrëveshje parasheh mbështetje konkrete financiare për Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke kontribuuar drejtpërdrejt në rritjen e profesionalizmit dhe gatishmërisë operacionale”, tha Kurti.
Kosova ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak përfaqësuar ndërmjet Qeverisë së Kosovës, përfaqësuar nga ministria e Mbrojtjes së Kosovës, dhe Qeverisë së Türkiyes, përfaqësuar nga ministria e Mbrojtjes e Türkiyes.
Kryeministri Albin Kurti, i cili e paraqiti për shqyrtim dhe miratim në parim projektligjin para kabinetit qeveritar, tha se nisma për lidhjen e marrëveshjes për bashkëpunim financiar ushtarak ndërmjet dy shteteve, është hap i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
“Kjo marrëveshje parasheh mbështetje konkrete financiare për Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke kontribuuar drejtpërdrejt në rritjen e profesionalizmit dhe gatishmërisë operacionale. Ajo e dëshmon nivelin e lartë të partneritetit me një shtet aleat dhe përkushtimin e përbashkët për siguri dhe stabilitet në rajon”, tha Kurti.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha para kabinetit qeveritar se qëllimi i kësaj marrëveshje është të plotësojë nevojat e FSK-së, në përputhje me kornizën e ligjeve kombëtare dhe ndarjet vjetore buxhetore të Türkiyes.
“Ju njoftoj se kjo nismë tashmë ka marrë rekomandimin nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe negociimi i saj do të bëhet sipas legjislacionit në fuqi”, tha Maqedonci.
Ministri shtoi se miratimi i kësaj nisme është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Türkiyes, përkatësisht dy ministrive të tyre të mbrojtjes.
Kabineti qeveritar e miratoi këtë nismë me të gjitha votat pro, pa asnjë abstenim dhe asnjë votë kundër.