Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi të premten vendosjen e sanksioneve të reja ndaj subjekteve, individëve dhe anijeve të lidhura me tregtinë e paligjshme të naftës, produkteve të naftës dhe produkteve petrokimike iraniane.
Në një deklaratë, Departamenti i Shtetit bëri të ditur se po sanksionon 15 subjekte, dy individë dhe 14 anije që janë pjesë e të ashtuquajturës “flotë hije” të Iranit.
“Së bashku, këto objektiva kanë gjeneruar të ardhura që regjimi i përdor për të kryer aktivitetet e tij keqdashëse”, thuhet në deklaratë.
Në vend që të investojë në mirëqenien e popullit të vet dhe në infrastrukturën e degraduar, Uashingtoni pretendon se Teherani “vazhdon të financojë aktivitete destabilizuese në mbarë botën dhe të intensifikojë represionin brenda Iranit”.
Departamenti paralajmëroi se ShBA-ja do të vazhdojë të ndërmarrë masa për aq kohë sa Irani përpiqet të shmangë sanksionet për të gjeneruar të ardhura nga nafta dhe petrokimikatet, të cilat, sipas tij, mbështesin “sjellje shtypëse, aktivitete terroriste dhe grupe përfaqësuese”.











