Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur në një takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ndërkohë në fokus ishin çështjet e bashkëpunimit mes dy vendeve, problematikat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe çështje të tjera.
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se fuqizimi i diasporës shqiptare, e cila për presidentin Begaj është ”fuqia dhe zemra e kombit”, ishte gjithashtu një ndër temat që u diskutua në takim.
"Takimi u fokusua në marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, problematikat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të drejtat e tyre me fokus në gjuhën shqipe, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në institucione dhe nevojën e bashkimit të faktorit politik shqiptar kur bëhet fjalë për t’i mbrojtur çështjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të tyre. Për presidentin Begaj, Ligji për përfaqësimin adekuat dhe Marrëveshja e Ohrit nuk janë për diskutim, janë për zbatim", thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, presidenti Begaj kërkoi angazhimin e kryeparlamentarit Gashi në zgjidhjen e kërkesave të studentëve të jurisprudencës për të dhënë provimin në gjuhën shqipe.
“Shqiptarët janë faktor shtetformues në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në një shtet multietnik bashkëjetesa dhe mirëkuptimi ndërmjet etnive janë shumë të rëndësishme. Garantimi institucional me kornizë ligjore detyruese i të drejtave të fituara dhe jo produkt i balancave të rastësishme është një garanci më shumë për avancimin real të Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt proceseve integruese në BE”, ka theksuar Begaj.
Kryeparlamentari Gashi vizitoi Shqipërinë në kuadër të Samitit të Diasporës Shqiptare.




















