| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Zelenskyy: Fitorja e demokratëve në ShBA do të sjellë mbështetje të mëtejshme për Ukrainën
Presidenti ukrainas Zelenskyy shpreson se ndryshimet që do të sjellë votimi në ShBA do të jenë në favor të Ukrainës, duke theksuar se Kievi tashmë gëzon mbështetje dypartiake.
Zelenskyy: Fitorja e demokratëve në ShBA do të sjellë mbështetje të mëtejshme për Ukrainën
Zelenskyy: Fitorja e demokratëve në ShBA do të sjellë mbështetje të mëtejshme për Ukrainën

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy shpreson që fitorja e demokratëve amerikanë në zgjedhjet e mesmandatit në fillim të kësaj jave të çojë në mbështetje të mëtejshme për Kievin, në kushtet e luftës së vazhdueshme me Rusinë. 

Në një intervistë për transmetuesin publik gjerman ZDF, një pjesë e së cilës u publikua mbrëmë, Zelenskyy shprehu shpresën se ndryshimet që do të sjellë votimi në ShBA do të jenë në favor të Ukrainës, duke theksuar se Kievi tashmë gëzon mbështetje dypartiake.

“Jam gjithashtu mirënjohës ndaj republikanëve, por demokratët flasin shumë qartë për mbështetjen dhe ofrimin e ndihmës për Ukrainën”, tha ai.

Zelenskyy theksoi deklaratat e demokratëve për rivendosjen e marrëdhënieve mes ShBA-së dhe Evropës, duke shprehur shpresën se do të krijohet një ekuilibër i fuqive, në kuadër të të cilit Ukraina do të marrë më shumë mbështetje.

“Nëse Kongresi tani flet për mbështetje të fortë financiare ose ndihmë ushtarake, ashtu siç po vepron dhe po dëshmon sot Evropa, atëherë kjo do të jetë diçka pozitive që do të ndikojë te Putini”, shtoi ai.

Deklaratat e Zelenskyyt vijnë pas zgjedhjeve të mesmandatit në ShBA të së martës, në të cilat demokratët siguruan shumicën si në Senat ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, duke i dhënë fund kontrollit republikan mbi Kongresin.

Pas votimit, Trumpi sugjeroi se mund të bashkëpunojë me demokratët në Kongres, me kusht që ata të mos përpiqen të pengojnë administratën e tij.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë