Kryeministrat e tri kombeve me autonomi në Mbretërinë e Bashkuar do të takohen sot në Uells, mes diskutimeve rreth "ndarjes nga Mbretëria e Bashkuar".
Ky do të jetë takimi i parë ballë për ballë mes tre liderëve nacionalistë - Rhun ap Iorwerth, kryeministër i Uellsit dhe lider i Plaid Cymru, John Swinney, kryeministër i Skocisë dhe lider i Partisë Kombëtare Skoceze (SNP), dhe Michelle O’Neill, kryeministre e Irlandës së Veriut dhe lidere e partisë Sinn Fein.
Liderja e Sinn Fein në Irlandë, Mary Lou McDonald, do të marrë pjesë gjithashtu në bisedimet në kryeqytetin e Uellsit. Për herë të parë që nga fillimi i devolucionit në vitin 1997, të tria kombet kanë kryeministra që duan të ndahen nga Mbretëria e Bashkuar.
Duke folur për "Sky News" para takimit, O’Neill tha se i gjithë peizazhi politik "po ndryshon shumë", duke shtuar se bashkimi i Irlandës "është shumë i mundshëm".
Kjo erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump tha sot se bashkimi i Irlandës dhe Irlandës së Veriut përfaqëson "një nga gjërat më të natyrshme të të gjitha kohërave", duke sugjeruar se ndarjet historike duhet të zgjidhen.
Komentet pasuan deklaratat që ai bëri të shtunën gjatë qëndrimit në Irlandë, kur tha se do të "donte shumë" të shihte një Irlandë të bashkuar.
"Ndryshimi i peizazhit politik në këto ishuj nënkupton se ka argumente të forta për bashkëpunim praktik politik në fusha si energjia, ekonomia dhe bashkëpunimi me Evropën", tha një zëdhënës i "Plaid"-it, cituar nga BBC-ja.
Ndërkohë, lideri i SNP-së, Swinney tha se të tria partitë ndajnë bindjen se "popujt e kombeve tona përkatëse duhet të jenë në gjendje të përcaktojnë të ardhmen e tyre".
"Në këtë moment vendimtar të ndryshimit kushtetues, ne do ta thellojmë partneritetin tonë", shkroi ai në platformën amerikane të mediave sociale X.
Sipas raportimeve të mediave, tre liderët pritet të nënshkruajnë deklaratë të përbashkët ku do të kërkojnë që kombeve të tyre t'u jepet e drejta për të zhvilluar referendume për pavarësinë.



















