RAJONI
5 minuta leximi
Tiranë, mbahet takimi i Botës së Biznesit Shqipëri-Türkiye
Zv/presidenti turk Yılmaz në fjalën e tij tha se në vizitat e tyre jashtë Türkiyes u kushtojnë rëndësi takimeve me biznesmenë turq, duke i cilësuar këto takime përforcim të dinamizmit ekonomik të Türkiyes.
Tiranë, mbahet takimi i Botës së Biznesit Shqipëri-Türkiye
Tiranë, mbahet takimi i Botës së Biznesit Shqipëri-Türkiye / AA
17 Tetor 2025

Në Tiranë është mbajtur takimi i Botës së Biznesit Shqipëri-Türkiye, me pjesëmarrjen e zv/presidentit Cevdet Yılmaz, i organizuar nga Shoqata e Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur (MÜSİAD).

Zv/presidenti turk Yılmaz në fjalën e tij tha se në vizitat e tyre jashtë Türkiyes u kushtojnë rëndësi takimeve me biznesmenë turq, duke i cilësuar këto takime përforcim të dinamizmit ekonomik të Türkiyes.

"E vendosur në zemër të Ballkanit, Shqipëria mban një pozicion strategjik për shkak të afërsisë me Türkiyen dhe tregjet evropiane. Lidhjet e saj të transportit detar, marrëveshja e tregtisë së lirë në fuqi me Türkiyen, promovimi dhe mbrojtja e ndërsjellë e investimeve dhe marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë e bëjnë atë një vend tërheqës për investitorët", tha Yılmaz.

"Türkiye është ekonomia e 11-të më e madhe në botë sipas paritetit të fuqisë blerëse dhe mund të them se ne renditemi të katërtin në Evropë. Kohët e fundit e tejkaluam Italinë për sa i përket madhësisë ekonomike. Ishim në vendin e pestë", shtoi ai

Më tej, Yilmaz deklaroi se biznesmenët që operojnë në vend kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Türkiyes dhe Shqipërisë, duke shtuar se tregtia midis dy vendeve është në zhvillim dhe se vëllimi tregtar ka arritur në 1 miliard dollarë në vitin 2024.

Ai po ashtu tha se kompanitë kontraktuese turke deri më sot kanë zbatuar 37 projekte në Shqipëri, me një total prej mbi 1,8 miliard dollarësh.

"Një pjesë e konsiderueshme e këtyre projekteve përfshin projekte autostradash, urash, tunelesh dhe hekurudhash. Në sektorin e konsulencës teknike janë përfunduar 23 projekte me vlerë 12 milionë dollarë. Megjithatë, duhet të theksoj gjithashtu se nuk kemi parë asnjë projekt të ri në sektorët e kontraktimit dhe konsulencës teknike që nga viti 2021. Do ta ndajmë këtë me homologët tanë. Duke pasur parasysh pozicionin e fortë ndërkombëtar dhe përvojën e gjerë të kompanive turke, përpjekje më intensive në këtë fushë janë të nevojshme në periudhën e ardhshme", theksoi zv/presidenti turk.

Ai tregoi se kompanitë turke, përveç sektorit të kontraktimit në Shqipëri, kanë investime të drejtpërdrejta në sektorët e financës, energjisë, tregtisë me shumicë dhe pakicë, si dhe në sektorët e minierave. Ai shtoi se investimet në këta sektorë kishin arritur shifrën 1 miliard dollarë deri në fund të vitit 2024 dhe se këto investime kishin siguruar punësim të drejtpërdrejtë për rreth 2.500 persona.

"Pa dyshim, këtu mund të hasni disa probleme burokratike. Të jeni të sigurt, ne i kemi ngritur këto çështje, të cilat besojmë se janë të zgjidhshme, në takimet tona zyrtare dypalëshe të nivelit të lartë", shtoi ai.

- "Forumi i Investimeve Shqipëri-Türkiye do të shërbejë për të forcuar më tej lidhjet ekonomike dhe tregtare"

Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, nga ana e tij, tha se dialogu i ngushtë midis presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama, ka mundësuar thellimin e marrëdhënieve në çdo fushë në një mënyrë që i shërben edhe paqes rajonale.

Atay vuri në dukje se Forumi i Investimeve Shqipëri-Turqi, që do të mbahet nesër, do të shërbejë për të forcuar më tej lidhjet ekonomike dhe tregtare në një mënyrë që i përshtatet marrëdhënieve të shkëlqyera politike që kanë krijuar të dy vendet.

"Prania e zv/presidentit tonë në forum, së bashku me përfaqësues të nderuar nga Asambleja e Madhe Kombëtare Turke dhe katër ministri të ndryshme, është një tregues konkret i angazhimit tonë për këtë çështje", tha ai.

Ndërkaq, kreu i MÜSİAD-it, Burhan Özdemir, tha se Shqipëria është një nga vendet ku investitorët dhe biznesmenët turq bëjnë investimet më të larta.

"Kur përmenden investitorët e huaj në Shqipëri, Turqia është vendi i parë që na vjen ndërmend", tha Özdemir, duke vënë në dukje se MÜSİAD përfaqësohet në 100 zyra në afërsisht 82 vende dhe ka një total prej 14 mijë anëtarësh.

- "MÜSİAD bashkoi 105 biznesmenë turq dhe shqiptarë nën të njëjtën çati brenda një kohe të shkurtër"

Özdemir gjithashtu theksoi se MÜSİAD Albania ka bërë përparim të shpejtë në një kohë shumë të shkurtër.

"Dua të falënderoj zv/presidentin tonë për mbështetjen që na jep në këtë program kuptimplotë dhe të rëndësishëm. E gjej këtë mbështetje shumë domethënëse, e cila do të na mundësojë të jemi shumë më efektivë në aktivitetet tona ndërkombëtare, veçanërisht gjatë kësaj periudhe kur balanca e tregtisë ndërkombëtare po ndryshon dhe sistemi global po hyn në një fazë transformimi"", tha ai.

Muhammet İşler, kreu i MÜSİAD Albania, nga ana e tij, kujtoi se dega në Shqipëri e MÜSİAD-it bashkoi 105 biznesmenë turq dhe shqiptarë nën të njëjtën çati brenda një kohe të shkurtër.

Ai tha se ata ndërtojnë miqësi, besim dhe vëllazëri me çdo hap që hedhin, duke shtuar se, "Si MÜSİAD Albania, ne drejtuam investime me vlerë 150 milionë euro drejt vendit tonë në vitin 2024".

Të pranishëm në takim ishin edhe zv/ministri turk i Industrisë dhe Teknologjisë, Çetin Ali Dönmez, zv/ministri i Tregtisë, Özgür Volkan Ağar, deputetja e AK Partisë për Edirne dhe kryetarja e Grupit të Miqësisë Ndërparlamentare Türkiye-Shqipëri, Fatma Aksal, zv/ministri i Kulturës dhe Turizmit, Serdar Çam dhe zv/ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Ebubekir Gizligider.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë