Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, priti të premten kryeministrin libanez, Nawaf Salam, në një darkë pune në Istanbul.
Erdoğan fillimisht e mirëpriti kryeministrin Salam me një ceremoni zyrtare në Pallatin Vahdettin.
Pas ceremonisë së mirëseardhjes, Erdoğan dhe Salam biseduan pranë një dritareje të pallatit, ndërsa presidenti turk i tregoi disa nga monumentet historike të Istanbulit.
Më pas, dy liderët zhvilluan takim dypalësh, gjatë të cilit diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale.
“Türkiye i kushton rëndësi marrëdhënieve me vendin vëlla, Libanin”, tha Erdoğan, duke shtuar se beson se “intensifikimi i kontakteve diplomatike në këtë kuadër do të jetë i dobishëm”.
Ai tha se Ankaraja vazhdon përpjekjet diplomatike për të garantuar sigurinë e Libanit.
“Ne do të vazhdojmë të ofrojmë çdo mbështetje të mundshme, përfshirë ndihmën humanitare, për të ndihmuar në vendosjen e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në Liban”, shtoi ai, sipas Drejtorisë së Komunikimeve të Türkiyes.
Presidenti turk theksoi se do të ishte “e dobishme” për rajonin që Libani dhe Siria të zhvillojnë “marrëdhënie të mira fqinjësore”.
“Ne po bëjmë çdo përpjekje për t'i zhvilluar më tej marrëdhëniet dypalëshe mes Türkiyes dhe Libanit”, shtoi Erdoğan.
Në takim mori pjesë edhe ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan.






















