Delegacioni iranian zhvillon takim me kryeministrin pakistanez në Islamabad

Teherani pritet të ngrejë shkeljet e armëpushimit nga ShBA-ja dhe propozimin me 10 pika që shërben si bazë për negociatat.

By
Delegacioni iranian zhvillon takim me kryeministrin pakistanez në Islamabad / Reuters

Delegacioni iranian u takua të shtunën me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, në Islamabad, ndërsa transmetuesi shtetëror IRIB raportoi se në takim pritej të ngriheshin shkeljet e pretenduara të armëpushimit nga ana e ShBA-së.

Takimi mes delegacionit iranian dhe Sharif filloi në orën 13:30 sipas kohës lokale (08:30 GMT), sipas korrespondentit të IRIB-së në kryeqytetin pakistanez.

Gjatë bisedimeve, Irani pritej gjithashtu të diskutojë propozimin e tij me 10 pika, që sipas Teheranit përbën kornizën dhe bazën e negociatave për t’i dhënë fund përfundimisht luftës që nisi më 28 shkurt.

Kryetari i parlamentit iranian, Bagher Qalibaf, dhe ekipi i tij, përfshirë ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi dhe zëvendësin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Ali Bagheri Kani, mbërritën më herët gjatë ditës në Islamabad.

Ndërkohë, delegacioni amerikan drejtohet nga zv/presidenti JD Vance dhe përfshin gjithashtu të dërguarin special Steve Witkoff dhe dhëndrin e presidentit Donald Trump, Jared Kushner.

Pakistani po pret këto negociata historike, që pritet të zhvillohen në formate të drejtpërdrejta dhe të tërthorta, të njohura si “Bisedimet e Islamabadit”, më të rëndësishmet që nga viti 1979, për t’i dhënë fund konfliktit të gjerë në Lindjen e Mesme, në një kohë kur një armëpushim dyjavor mbetet i brishtë. Armëpushimi u ndërmjetësua nga Pakistani më herët gjatë kësaj jave.

Qalibaf kishte deklaruar më herët se sulmet ndaj Libanit, hyrja e një droni në hapësirën ajrore iraniane dhe mohimi i së drejtës së Republikës Islamike për pasurimin e uraniumit përbëjnë shkelje të armëpushimit.