| Albanian
BOTA
1 minuta leximi
Erdoğan: Türkiye do të bëjë gjithçka për të parandaluar një tjetër gjenocid si ai i Srebrenicës
Erdoğan tha se Türkiye do të vazhdojë të punojë për “një Bosnjë e Hercegovinë të qëndrueshme dhe të begatë, ku njerëzit me besime, kultura dhe identitete të ndryshme etnike të jetojnë së bashku në paqe”.
Erdoğan: Türkiye do të bëjë gjithçka për të parandaluar një tjetër gjenocid si ai i Srebrenicës
Erdoğan: Türkiye do të bëjë gjithçka për të parandaluar një tjetër gjenocid si ai i Srebrenicës/ AA

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Türkiye po bën dhe do të bëjë gjithçka të nevojshme për ta parandaluar përsëritjen e vuajtjeve të ngjashme me gjenocidin e Srebrenicës.

Duke folur pas drejtimit të një mbledhjeje të kabinetit në kryeqytetin Ankara, Erdoğan tha se Türkiye do të vazhdojë të punojë për “një Bosnjë e Hercegovinë të qëndrueshme dhe të begatë, ku njerëzit me besime, kultura dhe identitete të ndryshme etnike të jetojnë së bashku në paqe”.

Duke iu referuar takimit të NATO-s më 7 dhe 8 korrik në kryeqytetin turk, Erdoğan tha se Ankaraja e ka rritur “më shumë se kurrë më parë” dukshmërinë e saj ndërkombëtare duke organizuar me sukses një “samit historik”.

Erdoğan tha se samiti ishte “një nga samitet e NATO-s më të ndjekura nga mediat” krahasuar me takimet e mëparshme të aleancës ku ai kishte marrë pjesë, duke shtuar se ai shfaqi “madhështinë e plotë të traditës së rrënjosur shtetërore të Türkiyes”.

Ai tha se në një kohë kur “rendi i vjetër është në kujdes intensiv dhe sistemi i ri po përjeton dhimbjet e lindjes”, kompleksi presidencial në Ankara ishte shndërruar në qendrën e diplomacisë globale.