| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
EFTA dhe Vietnami përfundojnë negociatat për marrëveshjen e tregtisë së lirë
Marrëveshja synon t’i forcojë marrëdhëniet tregtare ndërmjet vendeve të EFTA-s dhe Vietnamit përmes eliminimit ose uljes së tarifave doganore, lehtësimit të tregtisë dhe promovimit të zhvillimit të qëndrueshëm.
EFTA dhe Vietnami përfundojnë negociatat për marrëveshjen e tregtisë së lirë
EFTA dhe Vietnami përfundojnë negociatat për marrëveshjen e tregtisë së lirë / AA

Shoqata Evropiane e Tregtisë së Lirë (EFTA) dhe Vietnami kanë bërë të ditur se i kanë përfunduar negociatat për një marrëveshje të tregtisë së lirë (FTA), e cila synon zgjerimin e lidhjeve tregtare dhe të investimeve.

EFTA, anëtarë të së cilës janë Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra, tha në një komunikatë të përbashkët se të dyja palët kanë përmbyllur bisedimet për një marrëveshje “gjithëpërfshirëse” të tregtisë së lirë.

“Njoftimi pasoi takimin ministror të EFTA-s, të mbajtur në Reykjavik të Islandës më 22 qershor të vitit 2026, duke shënuar përfundimin e negociatave. Ekipet negociatore të EFTA-s dhe Vietnamit zhvilluan bisedime intensive teknike në Reykjavik gjatë javës që i parapriu diskutimeve në nivel ministror”, thuhet në komunikatë.

Marrëveshja e tregtisë së lirë përfshin disa fusha, përfshirë tregtinë e mallrave, tregtinë e shërbimeve, rregullat e origjinës, masat sanitare dhe fitosanitare, pengesat teknike në tregti, investimet, të drejtat e pronësisë intelektuale, masat mbrojtëse tregtare, prokurimin publik, tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe bashkëpunimin dhe ngritjen e kapaciteteve.

Marrëveshja synon të forcojë marrëdhëniet tregtare ndërmjet vendeve të EFTA-s dhe Vietnamit përmes eliminimit ose uljes së tarifave doganore, lehtësimit të tregtisë dhe promovimit të zhvillimit të qëndrueshëm.

“Në një kohë pasigurie globale, forcimi i lidhjeve me partnerët e besueshëm tregtarë është më i rëndësishëm se kurrë. Jam i kënaqur që kemi arritur një marrëveshje ambicioze dhe largpamëse të tregtisë së lirë, e cila do të përmirësojë ndjeshëm qasjen në treg për mallrat dhe shërbimet”, tha ministri norvegjez i Punëve të Jashtme, Espen Barth Eide.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë