Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se një ekip i saj ka udhëtuar drejt Gaza për të realizuar rikonicionin e zonës ku pritet të operojnë trupat e saj.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë nga komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, i cili ka angazhuar ekipin për të bërë vlerësimin paraprak dhe koordinimin e aktiviteteve të dislokimit për kontingjentin e FSK-së.
Bëhet e ditur se kontingjenti i FSK-së do të jetë pjesë e misionit paqeruajtës të Forcave Stabilizuese Ndërkombëtare (ISF) në Gaza. Gjatë qëndrimit në terren, ekipi do të merret me vlerësimin e kushteve operacionale dhe përgatitjen për integrimin e trupave në këtë mision.
Gjatë vizitës, delegacioni i FSK-së ka zhvilluar takime me autoritete nacionale për administrimin e Gazës, si dhe me përfaqësues të Qendrës Koordinuese Civilo-Ushtarake (CMCC), që vepron nën mbikëqyrjen e institucioneve ndërkombëtare në përputhje me Rezolutën 2803 të OKB-së. Në këto takime është diskutuar për integrimin e kontingjentit, zhvillimin e operacioneve të përbashkëta dhe koordinimin e mbështetjes logjistike.
FSK thekson se mbetet e përkushtuar për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin global, në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke forcuar partneritetet strategjike dhe duke promovuar sigurinë kolektive.





















