Ministri i Jashtëm iranian, Seyed Abbas Araghchi, tha të premten se është “thelbësore” që blloku BRICS të luajë rolin e tij në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe global mes tensioneve në Lindjen e Mesme.
Ai i bëri këto komente gjatë një telefonate me homologun indian, Subrahmanyam Jaishankar, sipas një deklarate nga Ministria e Jashtme iraniane.
India është kryesuesja aktuale e bllokut prej 11 anëtarësh të ekonomive në zhvillim, i cili përfshin gjithashtu Kinën, Afrikën e Jugut, Rusinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Duke theksuar rëndësinë dhe pozicionin e BRICS-it si një forum për zhvillimin e bashkëpunimit shumëpalësh, Araghchi e konsideroi thelbësore që institucioni të luajë një rol konstruktiv në momentin aktual në mbështetjen e stabilitetit dhe sigurisë rajonale e globale”, thuhej në deklaratë.
Araghchi gjithashtu theksoi “nevojën” që organet dhe organizatat rajonale e ndërkombëtare të “dënojnë agresionin ushtarak kundër Iranit” mes konfliktit me ShBA-në dhe Izraelin.
Telefonata e së enjtes në mbrëmje ishte biseda e katërt e tillë që kur ShBA-ja dhe Izraeli nisën një ofensivë të përbashkët ndaj Iranit, e cila ka vrarë më shumë se 1.300 njerëz, përfshirë ish-udhëheqësin suprem të Iranit, Ali Khamenei.
Ministri i Jashtëm iranian e informoi homologun Jaishankar mbi situatën e fundit që rezultoi nga aktet e “agresionit dhe mizorive të kryera nga ShBA-ja dhe regjimi izraelit kundër Iranit, si dhe pasojat për stabilitetin dhe sigurinë rajonale e globale”, thuhet në deklaratë.
Nga ana e tij, Jaishankari bëri një deklaratë të shkurtër në lidhje me bisedën telefonike me homologun iranian.
“Diskutuam çështje dypalëshe dhe çështje që lidhen me BRICS-in”, tha ai në platformën e kompanisë amerikane të mediave sociale “X”.
Kryeministri indian, Narendra Modi, gjithashtu foli me Presidentin iranian, Masoud Pezeshkian, të enjten, duke shprehur “shqetësim të thellë” për tensionet në Lindjen e Mesme.
Pas sulmit të përbashkët ShBA-Izrael, Irani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjuar Izraelin dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane.



















