Prevot: Tani është koha që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës
Ministri belg, Prevot, tha se ai do të jetë një mbështetës i fuqishëm i Kosovës në integrimin evropian.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Belgjikës, Maxime Prevot, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.
Gjatë fjalës së tij pas takimit dypalësh, Konjufca vlerësoi mbështetjen belge ndaj proceseve integruese të Kosovës dhe theksoi pritjen për marrjen e pyetësorit për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), duke kërkuar qartësim të mëtejshëm të rrugës drejt bllokut evropian.
Konjufca gjithashtu shprehu pritjen për përkrahjen e Belgjikës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Në fushën e politikës së jashtme, Belgjika është një nga partnerët më të rëndësishëm dhe në këtë frymë ia shpreha vlerësimin tim më të lartë zëvendëskryeministrit për Evropë, për mbështetjen e tyre gjatë procesit të heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, që ishte hap shumë i rëndësishëm përpara drejt aspiratave tona evropiane. Theksova pritjet që i ka Republika e Kosovës sa i përket proceseve integruese, e në radhë të parë marrjes së pyetësorit nga ana e BE-së, e cila është çështje që po bëhen tre vite e gjysmë prej kur ende nuk po trajtohet nga ana e Brukselit”, tha Konjufca.
Ministri belg Prevot deklaroi se Belgjika do të avokojë në mënyrë aktive për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke theksuar se “tani është koha” për këtë hap, ndërsa konfirmoi përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe mbështetjen e perspektivës evropiane të vendit.
“Duke folur për Këshillin e Evropës, në mënyrë aktive do të avokoj për anëtarësimin tuaj, jo në të ardhmen, por tani është koha. Belgjika mbetet e përkushtuar që të fuqizojë dialogun bilateral dhe të thellojë bashkëpunimin policor të integrimit, veçanërisht duke pasur parasysh rëndësinë e madhësisë së diasporës kosovare në Belgjikë”, tha ai.
Prevot vijoji se ai do të jetë një mbështetës i fuqishëm i Kosovës në integrimin evropian.
“Mesazhi im për qeverinë dhe njerëzit tuaj është i qartë: anëtarësimi në familjen e Bashkimit Evropian mbetet një perspektivë e besueshme dhe Belgjika është e gatshme që edhe më tej të mbështes aplikimin tuaj”, tha ministri belg.
Ai shtoi se stabiliteti rajonal dhe progresi në dialogun e Kosovës me Serbinë, ndërmjetësuar nga BE-ja, mbeten të rëndësishme për rrugën evropiane të Kosovës.
Dy ministrat theksuan se vizita konfirmon marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në politikë të jashtme, siguri dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.