Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, deklaroi se rritja e kapacitetit të transmetimit të gazit natyror nga Türkiye drejt Bullgarisë ka “rëndësi strategjike jo vetëm për marrëdhëniet dypalëshe, por edhe për sigurinë energjetike të Evropës Lindore”.
Në një intervistë për Agjencinë Bullgare të Lajmeve (BTA), Fidani theksoi koordinimin e ngushtë mes dy aleatëve të NATO-s në fushat e sigurisë, energjisë dhe stabilitetit rajonal.
Ministri turk nënvizoi se roli i Türkiyes në mbështetjen e sigurisë së furnizimit energjetik të Bullgarisë është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm, veçanërisht pas ndërprerjeve të flukseve rajonale të gazit në vitet e fundit.
“Rritja e kapacitetit të transmetimit të gazit natyror nga Türkiye drejt Bullgarisë ka rëndësi strategjike për sigurinë energjetike të Evropës Lindore”, tha ai, duke shtuar se infrastruktura ekzistuese nuk është e mjaftueshme për të përmbushur kërkesën në rritje dhe se nevojiten investime shtesë nga pala bullgare.
Fidani bëri të ditur se të dy vendet po punojnë për përditësimin e marrëveshjes BOTAS-Bulgargaz “mbi bazën e parimit fitues për të dyja palët”, si pjesë e një kuadri më të gjerë bashkëpunimi energjetik.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e projektit “Transmetimi dhe Tregtia e Energjisë së Gjelbër”, që përfshin Türkiyen, Bullgarinë, Azerbajxhanin dhe Gjeorgjinë, duke shprehur pritshmërinë që studimet e fizibilitetit të nisin së shpejti.
Sipas kryediplomatit, Türkiye dhe Bullgaria synojnë të përfundojnë projekte të reja të ndërlidhjes elektrike që do të rrisin kapacitetin e transmetimit me 700 deri në 1.100 megavat. Ai përmendi gjithashtu planet për një kalim të dytë hekurudhor dhe Projektin e Autostradës së Detit të Zi për të forcuar lidhjet rajonale.
Bashkëpunimi në NATO dhe siguria rajonale
Duke folur për bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, Fidani tha se Türkiye dhe Bullgaria janë të koordinuara ngushtë në sigurinë kufitare, sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe shkëmbimin e inteligjencës.
Ai vlerësoi se zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme kanë treguar se sa shpejt mund të ndryshojë mjedisi i sigurisë, duke nënvizuar rëndësinë e rolit parandalues të NATO-s dhe solidaritetit mes aleatëve.
Fidani shtoi se të dy vendet, si partnerë kyç në krahun juglindor të NATO-s, janë të gatshme të shqyrtojnë hapa shtesë për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes ajrore dhe raketore.
Procesi i BE-së dhe tregtia
Ministri turk ritheksoi përkushtimin e Türkiyes ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar atë si një “prioritet strategjik”.
Shefi i diplomacisë turke tha se Bashkimi Evropian është partneri më i madh tregtar i Türkiyes, ndërsa Türkiye është partneri i pestë më i madh tregtar i BE-së.
Sipas Fidanit, vëllimi tregtar mes Türkiyes dhe BE-së arriti në rreth 233 miliardë dollarë në vitin 2025, duke reflektuar lidhjet e forta ekonomike.
“Përparimi i procesit të anëtarësimit të Türkiyes është në interes të të dyja palëve”, tha ministri.
Ballkani dhe stabiliteti rajonal
Fidani theksoi rëndësinë e stabilitetit politik në Bullgari për stabilitetin e gjithë Ballkanit, duke vlerësuar se një qeveri e fortë dhe e qëndrueshme do të përshpejtonte projektet afatgjata strategjike në energji, logjistikë dhe siguri.
Ai vuri në pah edhe rëndësinë e pakicës turke në Bullgari, duke e përshkruar atë si “urë miqësie dhe garanci për stabilitet demokratik”.
Duke iu referuar projekteve më të gjera rajonale, Fidani tha se Türkiye i kushton rëndësi strategjike korridoreve të lidhjes Lindje-Perëndim, përfshirë Korridorin e Mesëm dhe Projektin e Rrugës së Zhvillimit, ku Bullgaria shërben si portë hyrëse drejt tregjeve evropiane.
“Türkiye është një nyje kyçe tranziti që lidh Evropën, Lindjen e Mesme, Kaukazin, Azinë Qendrore dhe Afrikën. Kur kjo kombinohet me rolin qendror të Bullgarisë në Evropë, krijohen mundësi të mëdha për tregtinë rajonale dhe globale”, tha ai.




















