Kreu i Shërbimit Shtetëror të Rojës Kufitare të Lituanisë (VSAT) deklaroi të martën se janë evidentuar përpjekje për kontrabandimin e emigrantëve përmes tuneleve nga Bjellorusia, raportoi transmetuesi LRT.
“Kohët e fundit kemi vërejtur ndryshim në taktikat e emigrantëve: ata po përdorin gjithnjë e më shumë tunele ose zgavra”, tha Rustamas Liubajevas për median lituaneze “15min”.
Sipas tij, rojet kufitare kanë zbuluar dhjetëra vende ku po hapeshin tunele. Deklarata vjen pasi VSAT-ja njoftoi më herët se në juglindje të Lituanisë ishte zbuluar një tunel që niste nga territori i Bjellorusisë.
“Pa mbështetjen logjistike të rojeve kufitare bjelloruse, kjo nuk do të ishte e mundur. E gjithë kjo veprimtari po zhvillohet pranë kufirit. Gjithashtu, nevojitet furnizimi me dru, pasi tunelet kanë struktura mbështetëse prej druri”, tha Liubajevas.
Ai pretendoi se autoritetet bjelloruse “ose po mbyllin sytë, ose po i ndihmojnë aktivisht emigrantët në hapjen e këtyre tuneleve”.
Liubajevas tha se përpjekjet për kontrabandimin e emigrantëve nëpërmjet tuneleve janë shtuar këtë vit, pasi u zbuluan për herë të parë vitin e kaluar. Ai shtoi se metoda të ngjashme ishin përdorur më parë edhe përgjatë kufirit ndërmjet Bjellorusisë dhe Polonisë.



















