Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se ShBA-ja po merr miliona fuçi naftë nga Venezuela, ndërsa e përshkroi marrëdhënien mes Uashingtonit dhe Karakasit si “të jashtëzakonshme”.
“Po marrim miliona e miliona fuçi naftë”, tha Trump në shtetin e Karolinës së Veriut, duke shtuar se kompanitë amerikane të naftës po operojnë në Venezuelë dhe se Washingtoni po bashkëpunon ngushtë me qeverinë venezuelase.
Trump tha se kompanitë amerikane “po shkojnë atje” dhe vlerësoi marrëdhëniet me qeverinë venezuelase, pa dhënë shifra për sasinë e naftës që po dërgohet në ShBA.
Komentet e tij vijnë pasi administrata e presidentit Trump në fillim të këtij muaji njoftoi një marrëveshje të madhe lidhur me asetet e naftës së Venezuelës.
Shtëpia e Bardhë tha se marrëveshja i jep ShBA-së kontrollin e shumicës së më shumë se 65 miliardë fuçive të rezervave të provuara të naftës së Venezuelës dhe e garanton qasjen amerikane në prodhimin e 17 fushave të naftës.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, marrëveshja përfshin kompaninë private të naftës North American Blue Energy Partners dhe jo drejtpërdrejt qeverinë e përkohshme të Venezuelës.
Administrata amerikane tha se miliona fuçi të prodhimit të ri të naftës venezuelase do të përpunohen në rafineritë amerikane, ndërsa prodhimi pritet të rritet me zgjerimin e operacioneve të kompanive amerikane në vend.
Nafta është bërë një element qendror i marrëdhënieve të reja të Uashingtonit me Venezuelën pas largimit nga pushteti të presidentit Nicolas Maduro.
ShBA-ja ka deklaruar gjithashtu se ka rikuperuar koston e operacionit të saj ushtarak në Venezuelë përmes burimeve të naftës së vendit.
Venezuela ka rezervat më të mëdha të provuara të naftës së papërpunuar në botë, megjithëse industria e saj e naftës ka përjetuar vite të tëra të rënies së prodhimit, mungesës së investimeve dhe sanksioneve.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se marrëveshja e re për naftën synon ta rrisë prodhimin, të tërheqë investime dhe të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike të Venezuelës. Uashingtoni gjithashtu e ka përshkruar marrëveshjen si pjesë të një plani më të gjerë për stabilizimin, rindërtimin dhe tranzicionin politik në Venezuelë.






















