Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian po qëndron në Prishtinë

"Angazhimi i BE-së me Kosovën, si në nivel lokal ashtu edhe nga Brukseli, mbetet po aq i fortë sa gjithmonë, me mundësi të reja në horizont, përfshirë edhe Planin e Rritjes", shkroi Orav.

By
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian po qëndron në Prishtinë

Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Avio Orav ka pritur në takim raportuesin e Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras.

Siç njoftoi Orav nëpërmjet rrjetit social amerikan "X", takimi me Terras ndodhi mëngjesin e sotëm, para takimeve tjera të rëndësishme që Terras pritet t'i zhvillojë gjatë qëndrimit të tij në Kosovë.

"Angazhimi i BE-së me Kosovën si në nivel lokal ashtu edhe nga Brukseli, mbetet po aq i fortë sa gjithmonë, me mundësi të reja në horizont, përfshirë edhe Planin e Rritjes", shkroi Orav.

Krerë të institucioneve të larta në Kosovë tash e disa muaj me radhë kanë përsëritur karshi përfaqësuesve evropianë kërkesën për largimin e masave të BE-së ndaj Kosovës, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Kosova gjendet nën masat sanksionuese të BE-së që nga viti 2023 për shkak të vendimit të qeverisë kosovare për t'i dërguar kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në objektet komunale, gjë që përshkallëzoi situatën për disa javë.